'Arrestimi i Belerit 'histori suksesi'/ Eurodeputeti i përgjigjet Ramës: S’e kupton që në BE, s’negociohet vota e popullit!
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë dhe takimi me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, është parë me skepticizëm dhe është kritikuar ashpër nga eurodeputeti, Fredi Beleri.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Beleri akuzoi kryeministrin Rama se po tenton të paraqesë një realitet të zbukuruar, duke e përshkruar si një përpjekje për të treguar “gotën gjysmë plot”.
Teksa Rama e cilësoi një histori suksesi arrestimin e Fredi Belerit, pas marrjes së mandatit si kryetar i Bashkisë Himarë, Beleri iu përgjigj:
“Zoti Rama nuk kupton akoma se në Bashkimin Evropian, respektimi i votës së qytetarit është i panegociueshëm,” shtoi Beleri, duke argumentuar se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë arritur pikën e tyre më të ulët gjatë 13 viteve të qeverisjes së Ramës.
Kjo situatë, sipas tij, ka ndikuar negativisht si te komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, ashtu edhe te pakica greke në Shqipëri. Ai e krahasoi këtë periudhë me kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, kur, sipas tij, marrëdhëniet ishin më të mira dhe të bazuara në reciprocitet.
Beleri theksoi se pozita e tij si eurodeputet i jep një zë më të fuqishëm, por thelbi i problemit mbetet mosrespektimi i mandatit të dhënë nga populli. “Që qeveria të mos të lërë të ushtrosh mandatin që të dha populli, është një gjë shumë e rëndë,” përfundoi ai, duke e cilësuar këtë si një çështje të panegociueshme në një shtet të së drejtës.
Zoti Rama u mundua ta paraqesë gotën gjysmë të mbushur, si në të gjitha rastet që ai takon homologët e tij në perëndim, po të gjithë janë të qartë që me mënyrën se si qeveriset sot Shqipëria, me çështje të mbartura dhe të pazgjidhura, nuk mund të integrohet. Pas takimit të dy kryeministrave, kishte një intervistë zoti Rama me kryeredaktorin dhe një nga pronarët e Kathimerinis, dhe tha që çështja Beleri ishte një çështje me një ‘success story’. Pra, zoti Rama nuk kupton akoma që në Bashkimin Evropian respektimi i votës së qytetarit është i panegociueshëm. Nuk mund të kuptojë që nuk mund të ndërhysh në pushtet, kupton që fqinjin nuk e zgjedh, ta jep Zoti dhe je i detyruar të kesh marrëdhënie.
13 vjet që qeveriset Shqipëria nga zoti Rama, marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të këqija dhe kjo ndikon në dy komunitete, te emigrantët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe kanë shumë probleme, siç do të thotë do ua thotë kryetari, po edhe te minorit, pakica greke në Shqipëri e cila dhe ajo ka probleme. Ne gjendemi midis dy shteteve dhe jemi të parët që duam që marrëdhëniet të jenë të mira. Marrëdhëniet ka qenë të mira, ka patur marrëveshje, ka patur një reciprocitet kur Shqipëria qeverisej nga Partia Demokratike dhe nga zoti Berisha. 2013 që ka ardhur Rama duke bërë deklarata kontraverse, duke i rënë njëherë gozhdës e njëherë patkoit, ka sjellë marrëdhëniet në këtë derexhe që janë sot.
Besoj se zoti Mitsotakis e ka bërë të qartë zotit Rama që ditën e parë të arrestimit tim, qëndrimin e tij. Po në marrëdhëniet diplomatike secili ka mënyrën e vet për t'u shprehur. Zoti Mitsotakis për asnjë çast nuk ka hequr vëmendjen nga kjo çështje, është çështje serioze, unë flas me atë edhe besoj që zoti Rama e di këtë, prandaj sa herë e pyesin nervozohet. Unë sigurisht që jam sot europarlamentar dhe jam në një pozitë ku zëri im dëgjohet më shumë sesa ai i kryetarit të Bashkisë së Himarës. Është e panegociueshme në BE, në një shtet të së drejtës, që të mos respektohet vota e popullit. Për mua nuk është meraku i burgut se unë burgun e bëra. Po të mos të lë qeveria të ushtrosh mandatin që të dha populli, gjë shumë e rëndë. Dhe këtë zoti Rama mundohet ta anashkalojë.