VIDEO/ Lazio në finale pas dramës së penalltive, Motta hero kundër Atalantës

Lazio siguroi finalen e Kupës së Italisë pas një përballjeje dramatike ndaj Atalantës, duke triumfuar 2-3 me penallti pas një ndeshjeje plot emocione.

Skuadra bergamaske zhvilloi ndoshta ndeshjen më të mirë, duke dominuar pjesën më të madhe të lojës, por bardhekaltrit treguan karakter dhe rezistencë deri në fund. Në pjesën e parë, Atalanta ishte më kërkuese me raste nga Ederson dhe Kolasinac, ndërsa Lazio reagoi vetëm në fund me Cancellierin. Fraksioni i parë u mbyll pa gola.

Në pjesën e dytë, protagonisti absolut u bë portieri i ri Motta, i cili ndali disa tentativa të rrezikshme, përfshirë edhe një ndërhyrje vendimtare ndaj Krstovic. Në minutën e 61-të, Atalanta mendoi se kaloi në avantazh, por goli i Ederson u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për faull ndaj portierit.

Dramat kulmuan në minutat e fundit: Alessio Romagnoli kaloi Lazion në avantazh në minutën e 85-të, por vetëm dy minuta më vonë Mario Pasalic barazoi për Atalantën, duke çuar sfidën në shtesë.

Në kohën shtesë, Atalanta ishte sërish më kërkuese, por Motta bëri një mrekulli duke devijuar në shtyllë një goditje të sigurt të Gianluca Scamacca. Pa fitues, gjithçka u vendos nga pika e bardhë.

Aty, Motta u kthye në hero absolut, duke pritur katër penallti radhazi dhe duke i dhënë fitoren Lazios. Tani, bardhekaltrit do të përballen me Interin në finalen e madhe, ku do të synojnë trofeun dhe një vend në kompeticionet evropiane pas një sezoni të vështirë.