New York Times thotë se FBI hetoi gazetaren pas publikimit të artikullit për të dashurën e Kash Patel

Gazeta New York Times thotë se FBI-ja hetoi nëse një nga gazetaret e saj, Elizabeth Williamson, kishte shkelur ligjet kundër përndjekjes pasi shkroi një artikull gati dy muaj më parë rreth asaj se si agjentët federalë ishin caktuar për të mbrojtur dhe për të shoqëruar të dashurën e drejtorit të FBI-së, Kash Patel.

FBI-ja tha të mërkurën se agjentët e saj intervistuan të dashurën e Patel, këngëtaren e muzikës country, Alexis Wilkins, kur ajo shprehu shqetësim në lidhje me një kërcënim me vdekje të marrë pas botimit të artikullit të Williamson, por nuk ndërmorën asnjë veprim të mëtejshëm.

Në një artikull të publikuar në internet të mërkurën, gazeta Times tha se FBI-ja kërkoi në bazat e të dhënave federale për informacion në lidhje me Williamson dhe rekomandoi ndjekjen e mëtejshme të çështjes, por u bllokua nga Departamenti i Drejtësisë.

Gazeta tha se mësoi për të gjitha këto, vetëm nëpërmjet një informacioni që i ishte dhënë gazetarit Michael S. Schmidt. Gazeta e quajti veprimin alarmant.

“Përpjekja e FBI-së për të kriminalizuar raportimin rutinë është një shkelje e hapur e të drejtave të Amendamentit të Parë të Elizabeth dhe një tjetër përpjekje nga kjo administratë për të penguar gazetarët të shqyrtojnë veprimet e saj”, tha Joseph Kahn, redaktori ekzekutiv i gazetës. “Është alarmante. Është jokushtetuese. Dhe është e gabuar.”

Nuk është e qartë nëse The Times ka ndonjë mjet tjetër, përveçse t'i kërkojë një inspektori të përgjithshëm federal të shqyrtojë nëse veprimet ishin të papërshtatshme.

Williamson e intervistoi shkurtimisht Wilkins gjatë raportimit, por këngëtarja këmbënguli që biseda të mos bëhej publike. Gazeta tha se gazetarja foli edhe me njerëz që e njihnin Wilkins ose kishin punuar me të.

Artikulli origjinal, i botuar më 28 shkurt, shqyrtonte përdorimin e zyrtarëve federalë të thirrur për të kryer detyra personale për një figurë administrative. Ajo shkroi se Patel kishte caktuar katër agjentë për të mbrojtur Wilkins me kohë të plotë dhe se ata e kishin shoqëruar atë në paraqitje në Britani, Illinois dhe Nashville.

Zëdhënësi i FBI-së, Ben Williamson, në një deklaratë të postuar në mediat sociale, tha se ndërsa hetuesit “ishin të shqetësuar se si teknikat agresive të raportimit kalonin kufijtë e përndjekjes, asnjë veprim i mëtejshëm në lidhje me Williamson ose raportimin nuk u ndoq nga FBI-ja”.

Patel nuk ka ngurruar të kundërshtojë raportimet që nuk i pëlqejnë. Të hënën, ai ngriti një padi për shpifje prej 250 milionë dollarësh kundër The Atlantic për artikullin e saj që diskutonte akuzat për pirjen e tepërt të alkoolit dhe keqmenaxhimin e tij në agjencinë e zbatimit të ligjit./ AP.