Propozim i bujshëm nga Trump: Italia në Botëror në vend të Iranit

Një lajm i pazakontë po qarkullon në mediat ndërkombëtare, ku përfshihet edhe emri i Donald Trump dhe mundësia që Italia të marrë pjesë në Kupa e Botës 2026 në vend të Iranit.

Sipas raportimeve të ‘Financial Times’, i dërguari special i presidentit Donald Trump, Paolo Zampolli, i ka kërkuar FIFA-s që të përjashtojë Iranin dhe të përfshijë Italinë në Botëror. Burimet sugjerojnë se ky plan lidhet edhe me një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes Trump-it dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Vetë Zampolli e ka konfirmuar idenë, duke deklaruar se do të ishte një “ëndërr” të shihte “të kaltrit” në Botërorin që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se Italia, me katër tituj botërorë, ka historinë dhe prestigjin për të justifikuar një përfshirje të tillë.

Zampolli është një biznesmen italian i njohur në botën e modës dhe pasurive të paluajtshme, si dhe për lidhjet e tij të forta në SHBA. Ai njihet edhe për raportet e afërta me Trump-in dhe për rolin e tij në prezantimin e Melania Trump në rrethet elitare të Nju Jorkut në vitet ’90.

Kjo nuk është hera e parë që një ide e tillë hidhet në qarkullim. Edhe në vitin 2022, përpara Botërorit në Katar, një zyrtar amerikan i kishte kërkuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, përjashtimin e Iranit dhe përfshirjen e Italisë, duke argumentuar se “të kaltrit” ishin skuadra e parë rezervë sipas renditjes.

Megjithatë, një skenar i tillë mbetet shumë i pamundur, pasi vendimet për pjesëmarrjen në Botëror bazohen në rregulla strikte sportive dhe jo në iniciativa politike.