Demirxhiu: Gusht-nëntor, kulmi i çmimeve të qirave në Tiranë, ja kur është periudha më i lirë për të marrë shtëpi
Gjetja e një shtëpie me qira në Tiranë me një çmim të përballueshëm është kthyer në një sfidë të vërtetë, veçanërisht me rritjen e vazhdueshme të kërkesës nga migrimi i brendshëm. Megjithatë, jo të gjitha periudhat e vitit janë njësoj.
I ftuar në ‘Kush Paguan’ në SYRI TV me moderatore Klaudia Karabolli, eksperti imobiliar Ervin Demirxhiu, tha se ekzistojnë sezonet e shtrenjta, kur çmimet arrijnë kulmin, dhe periudha më të qeta, kur mund të gjenden mundësi më të favorshme.
Sipas tij, periudha më e vështirë dhe më e kushtueshme për të marrë një shtëpi me qira në kryeqytet nis në fund të muajit gusht dhe zgjat deri në tetor-nëntor. Kjo periudhë përkon me dy faktorë kryesorë: ardhjen e studentëve për vitin e ri akademik dhe fillimin e atij që ekspertët e quajnë ‘viti ekonomik’.
Ervin Demirxhiu: Më i përballueshëm në zonën e Freskut. Fresku, Yzberishi, po edhe Yzberishi, çmimet janë ngritur goxha. Mendoj Fresku është më i përballueshëm.
Momentalisht ne nuk jemi, në momentin që ne flasim, ne nuk jemi në sezonin e qirave. Sezonet e qirave fillojnë fundi i gushtit apo mesi i gushtit dhe deri në tetor, nëntor. Përkon me studentët, përkon dhe me fillimin e vitit ekonomik e quajmë ne. Domethënë fillimi i vitit ekonomik është shtatori pas pushimeve të verës dhe nuk është janari realisht. Dhe ndryshojnë puna, ndryshojnë bizneset, ka qarkullime edhe në zyra, dyqane e të tjera e të tjera.
Domethënë ajo periudhë pikërisht është pjesa kulminante e çmimeve të qirasë. Domethënë kushdo që do të marri shtrenjtë me qira do të marrin në, në atë periudhë, apo kushdo që do të ta japë shtrenjtë, në atë periudhë mund ta japim. Më e favorshme është janari, shkurti, deri nga mesi i marsit.