SYRI TV/ Shpopullimi: Të huajt mbulojnë tregun e punës në Vlorë, rriten aplikimet për leje qëndrimi

Mungesa e krahut të punës, për shkak të largimeve masive të të rinjve, ka shtuar nevojën e afrimit të të huajve në vendin tonë. Kjo ka bërë që tregu i punës në jug të vendit të mbushet kryesisht me afrikanë dhe aziatik. Një fakt të tillë e konfirmojnë edhe aplikimet në zyrën e emigracionit në Vlorë, në të cilën vetëm për 3 mujorin e parë të vitit, ka një rritje të ndjeshme të aplikimeve për leje qëndrimi. Ndërkohë administratorët e kompanive e cilësojnë afrimin e të huajve si një zgjidhje të domosdoshme

Syri TV

Largimi i të rinjve, të cilët përbëjnë fuqinë kryesore të krahut të punës, ka shtuar nevojën për ardhjen e të huajve dhe mbushjen e tregut të punës me shtetas kryesisht nga Afrika dhe Azia. Ky fakt, ka dyfishuar edhe numrin e kërkesave për leje qëndrimi në jug të Shqipërisë. Zyra e migracionit që mbulon bashkitë Fier, Vlorë, Sarandë dhe Berat konfirmon një rritje të ndjeshme të aplikimeve. Vetëm në periudhën janar–mars 2026 janë regjistruar 1229 aplikime për leje qëndrimi, 581 më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, ose rreth 47% rritje. Pjesa dërrmuese e këtyre kërkesave lidhet drejtpërdrejt me punësimin, duke treguar qartë se tregu i punës po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia e huaj. I tillë është edhe rasti i këtij të riu, i cili pohon se ndodhet prej dy muajsh në Shqipëri dhe punon në sektorin e konstruksioneve metalike

“Unë jetoj në Fier. Prej dy muajsh ndodhem në Shqipëri dhe me pëlqen shumë këtu. Punoj në një kompani që merret me konstruksione metalike. Kam ardhur sot këtu për tu pajisur me leje qëndrimi”, është shprehur ai.

Administratorët e kompanive e konsiderojnë afrimin e të huajve si një zgjidhje të domosdoshme për mungesën e fuqisë punëtore vendase, duke marr parasysh largimet masive nga vendi.

Ndërkohë, një trend në rritje janë edhe pensionistët italianë që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke përfituar nga kostot më të ulëta të jetesës.