Festivali ndërkombëtar i gazetarisë, pjesëmarrës gazetarë nga shqipëria e rajoni
Gazetarë nga Shqipëria dhe rajoni ishin pjesëmarrës në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Gazetarisë, që u mbajt në Perugia të Italisë përgjatë 15-18 prillit, me pjesëmarrje të gazetarëve nga e gjithë bota. E pranishme në këtë festival, ku u trajtuan tematika të rëndësishme për gazetarinë, ishte edhe gazetarja e Syri Televizion Fjona Çela.
Gazetarët e pranishëm u bënë pjesë e sesioneve të shumta me tematika interesante dhe folës të kualifikuar e të njohur të fushës së medias, ku u trajtuan tema aktuale dhe me rëndësi si: dhuna digjitale ndaj grave gazetare, siguria dhe mirëqenia në gazetari, gazetaria investigative, gjuha e përdorur në raportimet mediatike, epoka e inteligjencës artificiale dhe burimet në kohën e AI, si dhe e ardhmja e medias.
Një fokus i veçantë iu dha grave gazetare, ku përmes sesioneve kushtuar kësaj tematike, gazetarët u vetëdijësuan se mizogjinia në gazetari nuk duhet të shuajë zërin dhe forcën e grave gazetare për të vazhduar përpara me misionin e tyre. Edhe dhuna seksuale ishte një tjetër temë e ndjeshme që u trajtua, për të cilën edhe pse narrativa po ndryshon, statistikat mbeten të njëjta. Për këtë çështje, gazetarët mësuan se mund të ndihmojnë të thyejnë mitet për dhunën seksuale, dhe se çdo individi i takon të dëgjojë e të veprojë, por jo të gjykojë.
Këto dhe shumë tematika të tjera me rëndësi ndërkombëtare u ndoqën nga gazetarë të ardhur nga e gjithë bota.
Kështu, gazetarët e pranishëm u bënë pjesë e diskutimeve botërore për gazetarinë, përfshirjen dhe barazinë gjinore, nga ku arritën në konkluzione dhe mësime tejet të rëndësishme, duke kuptuar fuqinë e gazetarëve në trajtimin e çështjeve me rëndësi në opinionin publik.
Kjo eksperiencë e veçantë mbështet gazetarët të sfidojnë stereotipet dhe të promovojnë një ambjent mediatik më gjithëpërfshirës dhe të barabartë, duke fituar njohuri të reja, shkëmbyer ide dhe krijuar lidhje që do të ndikojnë pozitivisht në punën e profesionistëve të medias në vijim. Pjesëmarrja e gazetarëve në këtë festival u mbështet nga UN Women, organizata e OKB-se per barazi gjinore dhe fuqizimin e grave, dhe qeveria e Suedisë.
Kjo pjesëmarrje synon të fuqizojë gazetarët e rinj për raportime më të ndjeshme ndaj pabarazive gjinore, për të sfiduar stereotipet dhe për të kontribuar për një mjedis mediatik më gjithëpërfshirës ku të gjithë pa përjashtime kanë zë.