Tela: Dosja e SPAK rrëzon deklaratat e Ramës për Karçanajn, pasuri të fshehura dhe ryshfet në ‘kutitë e verës’
Gazetari Andi Tela ka hedhur dyshime të forta mbi deklaratat publike për situatën pasurore të Mirlinda Karçanaj, duke iu referuar të dhënave të publikuara në dosjen e SPAK dhe vendimeve të GJKKO.
I ftuar në emisionin ‘Task-Forcë’, në SYRI TV, ai theksoi se dokumentet zyrtare flasin për pasuri të shumta të fshehura përmes personave të tretë, si dhe për përfitime të konsiderueshme financiare në formë ryshfeti. Sipas Telës, hetimet zbulojnë një skemë të organizuar korrupsioni brenda institucioneve shtetërore, ndërsa theksoi se thelbi i procesit mbetet konfiskimi përfundimtar i pasurive të dyshuara si të paligjshme.
Andi Tela: Kur dëgjon kryeministrin që thotë se zonja Karçanaj ka, jeton vetëm në shtëpi me qira dhe nuk ka pasuri të tjera, ka dy mundësi, ose e kanë informuar gabim, ose nuk po thotë të vërtetën. Në dosjen e SPAK-ut, në vendimin e djeshëm të gjykatës për sekuestrimet, shikohet që janë dy pasuri, dy shtëpi, automjet, truall, në pronësi të zonjës Karçanaj, por në prestanome, sipas SPAK-ut. Pra në emra të tjerë. Përveç këtij elementi, po në dosjen e SPAK-ut dhe në vendimin e gjykatës, konstatohet se zonja Karçanaj ka përfituar, sipas dëshmive të dhëna nga të pyeturit, rreth 200.000 euro të marra në kutitë e verës.
Pra futeshin paratë në kutitë e verës, në prerje 500 euro, 200 euro, 100 euro dhe ishin rryshfeti që ka marrë zonja Karçanaj. Pra nuk është ashtu siç thuhet dhe ashtu siç duket, por sipas hetimeve të SPAK-ut del e qartë që zonja Karçanaj, bashkë me Ergys Agasin dhe me personat e tjerë të akuzuar, e kanë kryer këtë vepër penale të korrupsionit, është shtuar dhe akuza e korrupsionit pasiv për të tërë. Janë shtuar persona të tjerë nën akuzë për dosjen e AKSHI-t dhe nuk është një veprimtari e kryer nga një grup i strukturuar kriminal siç dëgjojmë. Është një institucion shtetëror. Kishte tenderat kryesorë të këtij shteti dhe mënyra se si kanë vepruar të jep të qartë që po, është një grup i tillë.
SPAK e ka provuar te AKSHI. Kam përshtypjen që kështu ndodh në çdo ministri dhe institucion tjetër shtetëror, sepse skemën këta e imitojnë nga njëri-tjetri. Por mënyra se si e tregon SPAK-u dhe vendimi i GJKKO-së së sotme, e tregon qartësisht, e kanë bërë skemën, kanë vepruar mbi skemën dhe kanë treguar komplet të kundërtën e asaj që kanë bërë. 10 milionë euro të sekuestruara pasuri nga Agasi për shtëpi, vila të ndërtuara pa leje brenda dy-tre vitesh.
Pra, procesi i legalizimeve kishte përfunduar me kohë dhe flitej për ndërtesa të vjetra, të bëra vite më parë. Ai ka marrë tokën te ‘Equo's Resort’, ka ndërtuar vilën, e ka legalizuar brenda, të tre pronat i ka marrë brenda një dite, tapitë e legalizimit. Gjithçka është zhvilluar në sytë e organeve ligjzbatuese. Ai ka marrë pasurinë, e ka vënë në emrin e tij dhe tani falë SPAK-ut dhe GJKKO-së, kjo pasuri është sekuestruar. Presim pastaj në fund të vendimit nëse do konfiskohen apo jo. Sepse pjesa më e rëndësishme në të gjithë këtë histori e SPAK-ut është konfiskimi, nuk është thjesht sekuestrimi preventiv i këtyre pronave.