Lando Norris, beteja që nuk shihet në pistë: Nga lufta me ankthin dhe depresionin, te titulli botëror

Kampioni i botës në Formula 1, Lando Norris, ka zbuluar anën më të vështirë të rrugëtimit të tij drejt suksesit, duke folur hapur për betejën me ankthin dhe depresionin përpara se të ngjitej në majë.

Britaniku, i nderuar në çmimet Laureus “World Sports Awards” si një nga sportistët më të mirë të vitit, thekson se ndikimi që mund të ketë te të tjerët përmes këtyre rrëfimeve është më i madh se çdo trofe: “Të ndihmosh të tjerët për këto tema vlen më shumë se një kampionat”.

Në një intervistë për “The Guardian”, Norris pranon se vetëbesimi nuk ka qenë kurrë pika e tij më e fortë: “Qasja ime nuk ka qenë ‘Do ta bëj’, por ‘A mund ta bëj? A jam i aftë?’”. Pavarësisht se sot mban numrin 1 në makinën e MekLarenit, rruga deri aty ka qenë e mbushur me dyshime.

Plagët e së kaluarës

Momenti më i vështirë për të ishte viti 2019, kur debutoi në Formula 1. Norrisi flet për sindromën e impostorit dhe depresionin që e shoqëruan në atë periudhë: “Kisha shumë dyshime: ‘A e meritoj të jem këtu?’. Ndihesha sikur po u humbja kohën të gjithëve”.

Megjithatë, këto përvoja sot janë kthyer në motivim dhe mision personal. Ai dëshiron të përdorë zërin e tij për të ndihmuar të tjerët që përballen me të njëjtat sfida.

Një rol kyç në rikthimin e tij e ka luajtur edhe skuadra e MekLarenit, për të cilën ai ka një lidhje të veçantë: “Motivimi im më i madh është të bëj të lumtur ekipin tim”.

Madje, ai kujton se në fillimet e tij ndihmonte edhe në punë të thjeshta brenda ekipit, duke treguar përkushtimin maksimal.

Momenti i thyerjes në Monako

Një nga episodet më emocionale për Norrisin ishte në kualifikueset e Çmimit të Madh të Monakos në vitin 2025: “Ishte hera e vetme që kam qarë pas një kualifikueseje”. Ai rrëfen se dyshimet për aftësitë e tij arritën kulmin pikërisht në atë moment.

Në një pistë si ajo e Monakos, ku çdo gabim ndëshkohet menjëherë, presioni është ekstrem. “Nëse do ‘pole position’, duhet të hysh në kthesë pothuajse me sy mbyllur”, shpjegon ai, duke përshkruar limitet e këtij sporti.

Sytë nga sezoni 2026

Sa i përket sezonit aktual, fillimi nuk ka qenë ideal për Norrisin dhe MekLarenin. Pas tre garash, ai renditet në vendin e pestë, duke qenë pas rivalëve kryesorë, mes tyre edhe Antoneli.

Megjithatë, besimi për përmirësim mbetet i fortë: “Është një fillim i vështirë, por jemi të bindur se do të kemi një makinë më konkurruese në muajt në vijim”.

Historia e Norrisit është një dëshmi se pas suksesit të madh shpesh fshihen beteja të padukshme, të cilat kërkojnë po aq forcë sa edhe fitoret në pistë.