Ndeshja me Shqipërinë ishte e fundit, Rebrov lagohet nga drejtimi i Ukrainës
Është zyrtarizuar ndarja mes përfaqësueses së Ukrainës dhe trajnerit Sergei Rebrov. Federata ukrainase ka bërë të ditur përfundimin e bashkëpunimit, duke i dhënë fund aventurës së teknikut në stolin e Ukrainës.
Rebrovi mori drejtimin e Ukrainës në vitin 2023, por dështimi për të siguruar një vend në Botëror, pas eliminimit në gjysmëfinalen e fazës “play-off”, rezultoi vendimtar për fatin e tij.
Gjatë periudhës në krye të Ukrainës, 51-vjeçari e drejtoi skuadrën në 34 ndeshje, duke regjistruar 16 fitore, 10 humbje dhe 8 barazime.
Presioni ndaj tij u rrit ndjeshëm nga tifozët, të cilët kërkuan në kor largimin e tij pas miqësores ndaj Shqipërisë në fund të muajit mars. Edhe pse Ukraina triumfoi në atë sfidë, pakënaqësia nuk u shua.
Vendimi përfundimtar për largimin e Rebrovit nga stoli i Ukrainës erdhi tri javë më pas, duke mbyllur kështu një kapitull jo plotësisht të suksesshëm për teknikun ukrainas.