Berisha: Qeveria ka mbledhur 2.4 miliardë lekë më shumë për shkak të rritjes së çmimeve, qytetarët nuk janë kompensuar asnjë qindarkë
Berisha u ndal te ndikimi i rritjes së çmimeve në ekonominë e qytetarëve dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Ai theksoi se rritja e çmimeve të produkteve bazë dhe karburanteve ka sjellë më shumë të ardhura për qeverinë përmes TVSH-së, ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se kjo situatë kërkon vëmendje dhe reagim, duke theksuar se përballë rritjes së çmimeve, mbështetja për qytetarët duhet të jetë prioritet.
Ai shtoi se çështja e menaxhimit të të ardhurave dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme të qytetarëve mbetet një temë kyçe në debatin publik.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çfarë po pësoni ju gjatë kësaj krize nafte dhe ekonomike? Dhe çfarë po pëson qeveria? Edi Rama dhe qeveria e tij, me bordin e naftës dhe me këto që ka bërë, kanë inkasuar gjerë tani 2.4 miliardë lekë më shumë nga xhepat tuaj.
Kanë marrë nga xhepat tuaj dhe janë paguar si TVSH, që ju keni paguar si TVSH.
Pra, i keni paguar me çmimin e naftës, me çmimin e domateve, me biletat e transportit dhe po të shihni të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 14 për të njëjtën sasi malli, për shkak të rritjes së çmimeve nga kriza.
Nuk është kompensuar një qindarkë asnjë qytetar. Edhe kjo është një motiv për të vazhduar betejën tonë më të motivuar se kurrë. Faleminderit.