Berisha: Sulmi brutal ndaj deputetëve tanë është një akt primitiv i Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për dhunë ndaj opozitës dhe përshkallëzim të situatës në vend. Në fjalën e tij, Berisha u ndal veçanërisht te protesta e 17 prillit, duke e cilësuar dhunën ndaj deputetëve të opozitës dhe protestuesve  si një sulm të organizuar dhe të papranueshëm.

Ai theksoi se përdorimi i forcës ndaj përfaqësuesve të zgjedhur dhe protestuesve përbën një akt të rëndë politik, ndërsa e cilësoi si një përpjekje për të frikësuar kundërshtarët dhe për të penguar reagimin qytetar.

Berisha deklaroi se ngjarjet e fundit rrisin edhe më tej, përgjegjësinë e opozitës për të vijuar protestat dhe për të kundërshtuar qeverinë.

Deklarata e plotë:

Zonja deputete, zotërinj deputetë, të nderuar qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë mbledhje të grupit parlamentar të opozitës.
Së pari, dua të përshëndes edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që të premten e kaluar me pjesëmarrjen e tyre në kryengritjen paqësore u bënë zëri i qytetarëve në Shqipëri, në Europë dhe në botë.
Një përshëndetje të veçantë kam për heronjtë e kësaj proteste, të cilët sot ndodhen në burgjet e narkodiktaturës dhe i garantoj ata se burgosja e tyre politike do kthehet në një ndëshkim të padiskutueshëm ndaj regjimit të Edi Ramës.
I përgëzoj për qëndrimin burrëror të pathyeshëm në qelitë e narkoshtetit dhe u shpreh edhe mirënjohjen dhe solidaritetin tonë të plotë.
Unë gjithashtu shpreh revoltën më të madhe, denoncimin më të ashpër për sulmin brutal që u bë ndaj deputetëve tanë në protestën e 17 prillit.
Sulm i planifikuar.
Sulm i organizuar në të cilin u përdorën ndaj deputetëve dhe protestuesve të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj ariu, spraj toksik, plumba gome, pompa uji dhe shishe molotov.
Goditja e deputetëve, të cilët janë një faktor madhor në garantimin e karakterit paqësore të kryengritjes tonë, përbën aktin më primitiv të Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë.
Frikacak dhe i paburrë, gjen banditë me uniformë për të goditur deputetët e opozitës.
Të gjitha këto janë një detyrim i ri madhor i yni për të vazhduar protestat e fuqishme, për të vazhduar kryengritjen tonë paqësore.