Milo: Arrestimi i Metës skandaloz - Ish presidenti: Standardet e hetimit janë edhe më keq...
Ish ministri Paskal Milo ka reaguar gjatë një interviste televizive për arrestimin brutal të Ilir Metës nga forcat e policisë. “Jam skandalizuar nga një sjellje e tillë”, tha Milo.
Ndërkohë pas kësaj deklarate të ish ministrit të Jashtëm ka reaguar nga burgu kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i cili e falënderon për qëndrimin e tij publik.
“Nëse angazhimet e tij të çmuara si historian dhe lektor ia lejojnë, do të ishte shumë e mirëpritur prania e tij në sallën e gjyqit, për të parë dhe dëgjuar nga afër gjendjen reale dhe nivelin shqetësues të standardeve të hetimit ndaj meje”, shkruan Meta.
Mesazhi:
Mirënjohje dhe falënderim i përzemërt për Prof. Dr. Paskal Milon, me të cilin kam pasur kënaqësinë e veçantë të bashkëpunoj, edhe si vartës i tij por edhe si epror, por gjithmonë me të njëjtin raport bashkëpunues dhe të sinqertë, konstruktiv dhe në shërbim të interesit më të lartë publik e kombëtar.
Bashkëpunimi ynë mbetet për mua i jashtëzakonshëm dhe i paharruar, veçanërisht për çështjen e Kosovës, por edhe për menaxhimin e krizës në Maqedoni, që mori fund me Marrëveshjen e Ohrit.
Duke e falenderuar edhe njëherë për qëndrimin e tij publik, e siguroj se standardet e rrëmbimit që e kanë tronditur Prof. Dr. Paskal Milon, zbehen përballë standardeve të hetimit, të paraburgimit dhe sidomos të “kallëzuesve”.
Ndaj, nëse angazhimet e tij të çmuara si historian dhe lektor ia lejojnë, do të ishte shumë e mirëpritur prania e tij në sallën e gjyqit, për të parë dhe dëgjuar nga afër gjendjen reale dhe nivelin shqetësues të standardeve të hetimit ndaj meje.