Bardhi e Tabaku takim me senatorin Terzi di Sant’Agata: Integrimi europian duhet të bazohet në standarde dhe meritë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetja Jorida Tabaku zhvilluan një takim me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Europiane në Senatin Italian, senatorin Giuliomaria Terzi di Sant’Agata, një mbështetës i njohur i Shqipërisë dhe i procesit të saj të integrimit europian.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shqiptare e informuan senatorin Terzi di Sant’Agata mbi zhvillimet aktuale politike në vend dhe ritheksuan qëndrimin e tyre të palëkundur në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë. Ata nënvizuan se Partia Demokratike mbetet e vendosur të kontribuojë në përparimin e këtij procesi jetik për vendin, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe të mosfshehjes së problematikave që, sipas tyre, pengojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Përfaqësuesit e PD-së theksuan gjithashtu se procesi i integrimit duhet të bazohet vetëm në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve të Bashkimit Europian.

Sipas tyre, aktualisht Shqipëria nuk i përmbush këto standarde, ndërsa mazhoranca ka cenuar shtyllat kryesore të një shteti demokratik, duke dëmtuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe duke u bërë, sipas opozitës, mburojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit.