Krim i paralajmëruar në Memaliaj? Viktima dhe autori kishin armë, konflikt i mëparshëm mes tyre
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë me armë zjarri në Memaliaj, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër.
Sipas burimeve për hetimin, ngjarja nuk ka qenë e papritur, pasi mes palëve ka pasur një konflikt të mëparshëm, i cili ka ndodhur disa ditë më parë. Mësohet se ata janë thirrur në postkomandën e Memaliajt, ku janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
LEXO EDHE: Vrasje me armë zjarri në Memaliaj, ja kush është viktima
Po sipas të njëjtave burime, si viktima ashtu edhe autori i dyshuar kanë qenë të pajisur me armë zjarri, konkretisht pistoleta, ndërsa gjatë ngjarjes dyshohet se janë përdorur disa armë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:50 në qendër të Memaliajt, ku pas një konflikti, autori i dyshuar Donald Nela, 29 vjeç, qëlloi me armë zjarri ndaj Endri Goxha, 30 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Gjatë të shtënave mbeti i plagosur edhe vëllai i autorit, Dalio Nela, 25 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër.
Pas krimit, autori është larguar me automjet dhe vijon të jetë në kërkim nga policia. Ndërkohë, janë shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.
Si viktima, ashtu edhe autori, rezultojnë të njohur nga policia për precedentë penalë.
Nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, që sipas hetimeve paraprake konsiderohet një konflikt i paralajmëruar.