Shtyhet gjyqi për kryebashkiaken e Roskovecit, GJKKO i vendos gjobë avokatëve dhe ultimatum Bufit
Shtyhet edhe një herë gjyqi për kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi. Arsyeja është e njëjta me herët e kaluara, mungesa e saj dhe e avokatëve mbrojtës.
Ky precedent i mungesave të njëpasnjëshme e ka detyruar GJKKO të japë një ultimatum të fundit se nëse nuk do të paraqiten në seancën e radhës, procesi do të vijojë pa praninë e tyre.
Një tjetër masë e ditës së sotme ka qenë edhe gjobitja e avokatëve, duke i caktuar gjobë prej 5 mijë eurosh secilit. Seanca e sotme ishte për mbrojtjen e ish-kryebashkiakes së Roskovecit.SPAK më herët ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Majlinda Bufin, për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Bufi nuk rrezikon të shkojë në qeli për shkak se në përfundim SPAK ka sugjeruar pezullimin e dënimit dhe lënien e saj në “Shërbim Prove” për 2 vjet.
Skandali që çoi në hetim më pas nën akuzë kryebashkiaken e majtë të Roskovecit, u denoncua nga emisioni investigativ “Piranjat” në Syri Televizion. Bufi u regjistrua duke ushtruar presion ndaj qytetarit Gazmend Boranjit, i cili ishte mbështetës i kandidatit të opozitës, dhe i kërkon që të mos shkojë të votojë, as ai dhe as familja e tij. Bufi ka përdorur situatën e tij për t’i bërë presion, pasi qytetari kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit.
Punonjësit e IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social.
Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”.