Rangers përgatit ‘spastrimin veror’, Danny Rohl vendos të sakrifikojë Nedim Bajramin

Trajneri i Rangers FC, Danny Rohl, ka marrë një vendim të rëndësishëm për merkaton e verës, duke planifikuar largimin e disa lojtarëve, mes tyre edhe mesfushorin ofensiv Nedim Bajrami.

Sipas raportimeve, Rohl ka vendosur që Bajrami nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin 2026-27 dhe është i gatshëm ta lejojë largimin e tij nga “Ibrox” gjatë verës. Që prej ardhjes së trajnerit gjerman në tetor, 27-vjeçari ka mbetur jashtë formacionit kryesor dhe në periferi të skuadrës.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se edhe vetë lojtari është i hapur për një transferim të ri, ndërsa largimi i tij pritet të jetë pjesë e një eksodi më të gjerë të lojtarëve që nuk konsiderohen titullarë.

Rohl synon të reduktojë numrin e lojtarëve në skuadër dhe të krijojë hapësirë për afrime të reja, me qëllim forcimin e formacionit bazë të Rangers. Në këtë proces, disa futbollistë pritet të “sakrifikohen” për të balancuar projektin sportiv.

Klubi skocez po planifikon një verë aktive në merkato, ku prioritet do të jetë përforcimi i skuadrës kryesore, ndërsa largimet do të jenë pjesë e pashmangshme e riorganizimit të ekipit.