Skandali i 'Jet Bank', Këlliçi: Si mori licencë kompania offshore me pronarë pa asnjë eksperiencë...
Banka e parë digjitale në Shqipëri, “Jet Bank”, është kthyer në qendër të një debati të ashpër politik, pas akuzave publike për një skemë të dyshimtë licencimi që përfshin kompani offshore dhe pronarë pa asnjë përvojë në sektorin bankar. Denoncimi është bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi që ishte I ftura në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, ku ka zbardhur një sërë detajesh që ngrenë pikëpyetje serioze mbi procesin e miratimit nga Banka e Shqipërisë.
Sipas të dhënave të bëra publike, licenca fillestare i është dhënë një shtetasi izraelit, si pronar 100%. Më pas, struktura e aksioneve ka ndryshuar rrënjësisht. Kompania offshore “Konstador LTD”, e regjistruar në Qipro, është bërë aksionere me 71.5% të kuotave, ndërsa pjesa tjetër prej 28.5% kontrollohet nga pesë kompani të tjera me shtetas të huaj. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Këlliçi tha se, të gjithë këta individë dhe entitete, të marrë së bashku, kanë “zero ditë eksperiencë” pune në sistemin bankar.
Deputeti Këlliçi ka tërhequr një paralele të fortë mes kësaj çështjeje dhe skandalit të inceneratorëve, duke theksuar se mënyra e veprimit është e ngjashme. Ai përmendi krijimin e kompanive guackë, shpesh në Holandë, pak kohë përpara marrjes së kontratave apo miratimeve fitimprurëse nga shteti. Sipas tij, si “Konstador LTD” në Qipro, ashtu edhe “Jet Bank” janë themeluar në korrik të vitit 2025, ndërsa vetëm tre muaj më vonë kanë marrë miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë.
Nga këndvështrimi ligjor sipas deputetit demokrat, ngrihen akuza për shkelje të rënda procedurale nga ana e Bankës së Shqipërisë. Sipas legjislacionit në fuqi, përfshirja e një kompanie offshore në strukturën aksionere duhet të çojë në pezullimin e procesit të licencimit për verifikime të thelluara. Gjithashtu, theksohet se Banka e Shqipërisë ka detyrimin të kryejë një analizë financiare të prapavijës së çdo aksioneri deri në shtatë vite pas, një hap që dyshohet se nuk është ndjekur.
Flavi Qarri: Interesante kjo situata me këtë bankën e re edhe pse është pak e çuditshme në fakt që ka pasur një reagim të fortë nga politika. Zoti Këlliçi, të kemi parë të angazhuar shumë me temën dhe skandalin e Jet Bank. Dhe njëkohësisht ndërkohë që të kemi parë ty kaq të angazhuar, kemi parë dhe një fushatë mediatike shumë, po shumë të zgjeruar. E para njëherë dua të di. Kur të ra në vesh dhe në sy që një bankë e re nuk ishte ashtu siç dukej?
Belind Këlliçi: Tani, kjo duhet ndarë në dy aspekte, në aspektin politik dhe në aspektin teknik. Në aspektin teknik unë kam filluar të merrem me dokumentacion dhe kam filluar të hulumtoj, rreth muajit dhjetor. Unë në janar jam drejtuar Bankës së Shqipërisë zyrtarisht me letër nga Kuvendi i Shqipërisë, por në muajin dhjetor kam filluar të studioj qoftë rregulloren, po qoftë edhe pjesën teknike të të gjithë procedurës së licencimit.
Por, politikisht, kjo kishte të paktën një vit që qarkullonte në rrugë informale në Tiranë. Dhe këtu do të duhet patjetër t'i referohem edhe deklaratës, se dje ka folur për herë të parë edhe kreu i Partisë Demokratike zoti Berisha për këtë çështje, i cili është shprehur në fakt që ka të paktën gjashtë vite që Edi Rama tenton të hapë bankën e tij të parë digjitale në Shqipëri. Ke gjashtë vjet. Që ai kishte informacion si drejtues opozite, si ish-kryeministër, ka patur informacion që Edi Rama ka patur një tentativë prej gjashtë vitesh për të hapur bankën e parë digjitale në Shqipëri, bankën e tij. Patjetër, zoti Berisha nuk ka asgjë të keqe në vetvete. Patjetër, jo, nuk jam kundër digjitalizimit, nuk jam kundër evoluimit, nuk jam kundër zhvillimit, në mënyrë të padiskutueshme. Por jam kundër kapjes së sistemit tonë bankar, kundër ekspozimit të sistemit tonë bankar ndaj personave me zero eksperiencë, apo ndaj rreziqeve të mëdha dhe mos harro, këtu kemi një, arsye themelore tjetër pse jam marrë unë me këtë çështje dhe kur jam marrë.
Ne jemi në fazën që kemi hapur, në mënyrë të veçantë disa grup kapituj, po kemi hapur grup kapitullin numër një që janë themeloret dhe dyshi që është tregu i brendshëm. Dhe duhet të kuptosh që në momentin që pretendohet që Shqipëria do të integrohet në Bashkimin Evropian, çdo institucion i yni bëhet pjesë e tregut të brendshëm, tregut të Bashkimit Evropian dhe banka nëse do të jemi ne një moment anëtarë të Bashkimit Evropian dhe me licencimin e kësaj banke, kjo bankë bëhet automatikisht pjesë e sistemit evropian të BE-së së bankave dhe ekspozon të gjithë tregun evropian ndaj rreziqeve të mëdha. Kështu që për këto arsye...
Flavio Qarri: Njëlloj si rasti që po bëjmë me Kajon që ekspozon NATO-n.
Belind Këlliçi: Po NATO-n është pjesë tjetër, ajo do dëgjoni çudira ditën e nesërme sepse është aprovuar më në fund interpelanca që do të bëhet me ministrin e Mbrojtjes. Po këto çështje do të jenë ditën e nesërme në parlament, rrimë këtu. Dhe, arsyeja kryesore ka qenë i gjithë ky informacion politik pra le të themi, në analet politike qarkullonte kjo histori që kryeministri i Shqipërisë, përmes interesave të tij të ngushta familjare, kërkonte që në një farë mënyre të legalizonte dhe një pjesë shumë të madhe të parave që e ka përmendur ditën e djeshme zoti Berisha përmes portofoleve të Bitcoin-it dhe kriptomonedhave, por që duhej gjetur një artificë. Dhe çfarë ndodh? Në mos gaboj se i kam edhe me data, në 3 dhjetor 2025-ës miratohet Jet Bank-u, merr miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë. Një person, një shtetas izraelit, pronar 100% i Jet Bank, merr miratimin paraprak për të krijuar të parën bankë digjitale në Shqipëri. Po të hulumtosh fare pak thjesht, kupton dhe këtu pastaj ngrihen hije dyshimi shumë të mëdha dhe të lënë shijen e të njëjtës skemë që shteti shqiptar ka përdorur në rastin e inceneratorëve. Që po ta mbash mend, aty ishte rekord botëror sepse Edi Rama i dha bonus 8%, tetë muaj para se të hapej kompania, por po ta mbani mend, e kemi denoncuar me mijëra herë, në 30 gusht 2017-ës u hap atëherë kompania në Hollandë, u regjistrua Integrated Energy BV, ZBV, dhe një ditë më pas, në 31 gusht, mori kontratën 128 milionë euro nga shteti shqiptar. Dhe ngjashëm, po të shohësh, është e njëjta skemë. Në korrik të 2025-ës është themeluar dhe Konstador LTD-ja në Qipro dhe në korrik është themeluar edhe Jet Bank nga ky shtetas dhe menjëherë brenda tre muajsh ta marrin miratimin paraprak të Bankës Digjitale, nga Banka e Shqipërisë. Dhe çfarë ndodh? Menjëherë më pas ky shtetas bën një rishpërndarje, kanë krijuar në korrik të 2025-ës dhe Jet Holding BV po në Holandë, se në Holandë çuditërisht i krijojnë të gjitha, dhe në janar bëhet rishpërndarja e aksioneve, shiten aksionet, me miratim të Bankës së Shqipërisë dhe kalon kjo kompania Konstador në Qipro, në offshore, 71.5% aksionere dhe rreth 28.5% të aksioneve i kanë pesë kompani me shtetas të huaj me zero eksperiencë qoftë dhe gjithë në sistemin bankar.
Tani, që të kuptojmë gjithë skemën. E para, automatikisht në momentin që një kompani rezulton e regjistruar në offshore, Banka e Shqipërisë, edhe nëse e ka dhënë miratimin paraprak në këtë rast, do duhet të ketë një pezullim për të bërë verifikimin. E dyta, nuk lejohet dhënia e miratimit qoftë paraprak apo final i një banke në momentin që këtu kemi të përfshirë skemat offshore. E rëndësishme shumë është që Banka e Shqipërisë do duhet të bëjë analizë financiare deri në shtatë vite për çdo aksioner dhe çdo individ të përfshirë në momentin e kërkesës së lejes dhe në miratimin e bankës. Pra, kemi të bëjmë me individë, janë pesë individë që kanë 28% të aksioneve dhe një individ që ka 71% të aksioneve, të cilët, të bërë të gjithë së bashku, kanë zero ditë pune eksperiencë në sistemin bankar.
Dhe hapim një bankë në Shqipëri, kemi punuar zero ditë në sistemin banker. Për personat në fjalë unë kam marrë informacion, i jam drejtuar Bankës së Shqipërisë, dhe rezulton që këta individë kanë qenë të përfshirë në skemat e Forex-it, pra që janë skema mashtruese call center-i, dhe ajo çka unë kam bërë publike tre ditë më parë është edhe më tronditëse. Në momentin që këta kanë regjistruar Konstador LTD-në në Qipro, kanë përdorur një shtetas, Oliver Hemmers, edhe si drejtor edhe si sekretar të kësaj kompanie, të cilin më pas e kanë larguar...