Po vuante dënimin në burgun e Fierit për mashtrim, 68-vjeçari gjendet i vdekur në qeli

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, ku një i burgosur është gjetur pa shenja jete dhe më pas është konfirmuar vdekja e tij në spital.

Viktima është shtetasi Luan Sali Bundo, i lindur më 1 korrik 1957 në Tiranë dhe banues në kryeqytet. Ai vuante dënimin me 10 vite burg për veprat penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “mashtrim”, nga të cilat i kishin mbetur edhe rreth 4 vite e 11 muaj.

Sipas të dhënave zyrtare, Bundo vuante nga disa sëmundje kronike, përfshirë hipertension arterial, diabet mellitus, hipertrofi të prostatës, çrregullim ankthi dhe hiperuricemi, për të cilat trajtohej me terapi të rregullt mjekësore brenda institucionit.

Mëngjesin e sotëm ai është konstatuar me probleme shëndetësore dhe i është dhënë menjëherë ndihma e parë, ndërsa është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Rreth orës 08:20, mjekët kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë, me dyshimet paraprake për arrest kardiak.

Autoritetet kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.