‘Nënë, i kam duart me gjak, kam vrarë tre njerëz’/ Si u zbulua krimi monstruoz ndaj vëllezërve shqiptarë

25-vjeçari Vehid Muriçi dyshohet se para dy netësh ka vrarë tre persona në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë, dhe më pas ka shkuar në vendlindjen e tij në Rozhajë, ku është paraqitur në derën e shtëpisë.

“Nënë… i kam duart me gjak, kam vrarë tre njerëz… më fal”, mësohet të ketë thënë ai, sipas burimeve të gazetës VIJESTI.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Muriçi ka përdorur armë të ftohtë pas një konflikti me tre viktimat – vëllezërit shqiptarë Denis (28 vjeç) dhe Nezir Hoti (35 vjeç) nga Rozhaja dhe Kenan Miraljemoviç nga Novi Pazari.

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, policia njoftoi se Muriçi është arrestuar në qendër të Rozhajës.

Një burim për mediat tha se katër punëtorët e ndërtimit ishin grindur për shkak të një borxhi. Policia konfirmoi se krimit i kanë paraprirë “mosmarrëveshje personale” mes viktimave dhe të dyshuarit.

Sipas informacioneve jozyrtare, të katërt jetonin së bashku në një apartament me qira në lagjen Aerodromi i Vjetër në Podgoricë.

Dyshohet se 25-vjeçari, i cili punonte si bojaxhi, pas një debati me ta, ka nxjerrë thikën dhe i ka sulmuar.

Fakti që në apartament kishte tre trupa të pajetë u zbulua vetëm ditën tjetër, pasi familja e tij njoftoi policinë se ai kishte shkuar në Rozhajë dhe kishte pranuar krimin.

Sipas burimeve, pasi mbërriti në shtëpi, ai i tregoi nënës se kishte vrarë tre persona. Më pas, dyshohet se ushtroi edhe dhunë ndaj saj dhe u largua menjëherë.

Familja lajmëroi policinë, por nuk mundi të japë detaje për vendin e krimit, pasi ai nuk e kishte treguar.

Policia hyri në apartamentin në Podgoricë rreth orës 13:00, ku gjeti tre trupa me shenja të dukshme dhune.