Vrasja e 25-vjeçarit në Itali/ Shqiptari në qeli si autor i dyshuar, nën hetim për bashkëpunim edhe një 18-vjeçar

Prokuroria e Pizës pritet të mbyllë së shpejti hetimet për vrasjen e ndodhur më 14 shkurt në Montecalvoli, ku humbi jetën 25-vjeçari shqiptar Kevin Muharremi, banues në Fucecchio dhe punonjës në një autolavazh.

Sipas mediave italiane, autori i dyshuar është 20-vjeçari shqiptar Renato Xyke, i cili ndodhet në burg në Arezzo me akuzën e vrasjes. Ai ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe nuk e ka mohuar faktin që ka qëlluar me armë zjarri, pas një konflikti që nisi mes dy grupeve të rinjsh në një lokal dhe më pas degradoi në përplasje fizike në një parkim.

Për ngjarjen është vënë nën hetim edhe një 18-vjeçar italian nga Montecalvoli, i cili ndodhej në sediljen e parë të automjetit tip “Range Rover Evoque”, nga ku u qëllua ndaj viktimës. Ai dyshohet për bashkëpunim në vrasje, pasi hetuesit besojnë se kishte dijeni që autori ishte i armatosur, ndonëse ai e ka mohuar këtë.

Në automjet ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë, njëri prej tyre i mitur, por ata nuk janë konsideruar të përfshirë në krim dhe nuk janë nën hetim.

Sipas hetimeve, pas konfliktit fillestar, dy grupet u përballën sërish në Montecalvoli, ku Xyke dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë tip “Beretta 7.65”, e vjedhur një vit më parë, dhe ka qëlluar disa herë ndaj Muharremit, duke e goditur fatalisht në qafë.

Prokuroria, e cila po drejton hetimet përmes prokurorit Fabio Pelosi, pritet që në javët në vijim të kërkojë gjykim të menjëhershëm për autorin e dyshuar.