Atalanta–Lazio vendos finalistin e dytë të Kupës së Italisë: gjithçka nis nga rezultati 2-2 i ndeshjes së parë
Pas përmbysjes së Interit ndaj Comos, sot në mbrëmje luhet gjysmëfinalja e dytë e kthimit e Kupës së Italisë 2025/26, mes Atalantës dhe Lazios. Ndeshja në “New Balance Arena” nis nga barazimi 2-2 i takimit të parë dhe vlen një sezon i tërë për të dyja skuadrat.
Fituesi do të përballet në finale me Interin e Cristian Chivu më 13 maj. Një sfidë që vjen në një moment vendimtar, pasi të dyja skuadrat rrezikojnë të mbeten jashtë kompeticioneve europiane përmes kampionatit.
Atalanta, e drejtuar nga Raffaele Palladino, renditet në vendin e shtatë dhe ndodhet 4 pikë larg zonës së Europës, ndërsa Lazio e Maurizio Sarrit është në vendin e nëntë, 7 pikë larg zonës europiane. Për bardhekaltrit, kjo ndeshje shihet si mundësia e fundit për të shpëtuar sezonin.
Në sfidën e parë, Atalanta reagoi dy herë ndaj Lazios, duke barazuar me golat e Pasalic dhe Musah pas realizimeve të Dele-Bashiru dhe Dia, duke lënë gjithçka të hapur për aktin final.
Palladino pritet të ketë disa dilema në formacion, me Krstovic në formë të mirë pas golit ndaj Romës, por me Scamaccan që mbetet një opsion i fortë për sulmin. Në krah pritet të aktivizohet Zalewski, ndërsa mbrojtja do të kërkojë rikuperimin e Hien.
Nga ana tjetër, Sarri pritet të zbresë në fushë me skemën 4-3-3, me Maldinin në qendër të sulmit dhe Isaksen e Zaccagnin në krahë. Ky i fundit vjen pas një penalltie të humbur në kampionat ndaj Napolit.
Ndeshja nis në orën 21:00 dhe do të gjykohet nga arbitri Colombo. Fituesi siguron biletën për finalen e madhe të Kupës së Italisë.