Rosenior shpërthen pas humbjes së Chelsea-t: E papranueshme dhe e pambrojtshme

Trajneri i Chelsea-t, Liam Rosenior, ka kritikuar ashpër skuadrën e tij pas humbjes së rëndë 0-3 ndaj Brighton & Hove Albion në Premier League, një rezultat që thellon krizën e londinezëve.

Chelsea u dominua në mënyrë të plotë dhe pësoi golat nga Ferdi Kadioglu, Jack Hinshelwood dhe Danny Welbeck, duke regjistruar humbjen e pestë radhazi pa shënuar gol, një seri negative që nuk ishte parë që nga viti 1912.

Në deklaratat pas ndeshjes për “Sky Sports”, Rosenior nuk u kursye ndaj lojtarëve të tij: “Është e papranueshme në çdo aspekt. E papranueshme në qëndrim. Kjo paraqitje është e pambrojtshme. Diçka duhet të ndryshojë menjëherë”.

Trajneri, i cili mori drejtimin e skuadrës në janar me kontratë afatgjatë, pranoi se situata është alarmante. “Duhet të shohim veten në pasqyrë. Edhe unë duhet të shoh veten. Nuk mund të vazhdoj të mbroj disa nga gjërat që po shohim në fushë”, tha ai.

Sipas tij, vetëm pak lojtarë arritën nivelin e duhur në këtë ndeshje: “Ndoshta tre ose katër nga 11 lojtarët ishin në nivelin e duhur, dhe kjo nuk mjafton për këtë klub”.

Chelsea tani ndodhet gjithnjë e më larg zonës së Ligës së Kampionëve, duke mbetur shtatë pikë pas Liverpoolit, që mban vendin e pestë.

Rosenior e cilësoi këtë mbrëmje si më të vështirën e karrierës së tij: “Është nata më e vështirë, jo vetëm këtu, por në gjithë karrierën time. Disa gjëra që pashë sot nuk dua t’i shoh më kurrë”.

Ai shtoi gjithashtu se akuzat për mungesë përpjekjeje janë të papranueshme dhe paralajmëroi ndryshime urgjente: “Kjo nuk më përfaqëson mua dhe nuk përfaqëson klubin. Duhet të ndryshojë, duke filluar nga gjysmëfinalja e Kupës së Anglisë të dielën”.