Shumë aktivitete pas shkollës a i dëmtojnë fëmijët?
Të mbushësh çdo orë të ditës së një fëmije me aktivitete pas shkollës mund të mos jetë aq e dobishme sa mendohet. Përkundrazi, mund të pengojë zhvillimin e aftësisë së tij për të qenë i pavarur. Kështu sugjeron një studim i University of Colorado, i cili ka analizuar sjelljen e 70 fëmijëve 6-vjeçarë.
Studiuesit u kërkuan prindërve të mbanin një ditar të detajuar për aktivitetet e fëmijëve të tyre pas shkollës. Në këtë mënyrë, ata ndanë fëmijët në dy grupe: ata me një axhendë të mbushur plot (sport, kurse muzike e aktivitete të tjera të strukturuara) dhe ata që kishin më shumë kohë të lirë.
Rezultatet nxorën një përfundim të qartë: fëmijët me orar të tejngarkuar rezultuan më pak të aftë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Sipas studiuesve, kjo ndodh sepse ata janë mësuar që çdo moment i ditës t’u jetë i planifikuar, duke e pasur më të vështirë të organizohen vetë.
Një tjetër problem lidhet me presionin. Aktivitetet e shumta, ku kërkohet performancë dhe rezultate, mund të krijojnë ankth tek fëmijët. Në të kundërt, një dozë e shëndetshme kohe e lirë, edhe momente “pa bërë asgjë”, ndihmon në zhvillimin e pavarësisë dhe nxit kreativitetin.
Madje, edhe pak mërzi rezulton e dobishme: ajo i jep mundësi fëmijës të reflektojë mbi mendimet dhe ndjenjat e veta, duke forcuar identitetin personal.
Mesazhi i studiuesve është i qartë: jo çdo minutë duhet të jetë e planifikuar, ndonjëherë, zhvillimi i vërtetë vjen pikërisht nga hapësira e lirë.