‘Ishulli i Piratit’/ Tifozët e Mallorcës e nderojnë Muriqin me koreografi spektakolare

Atmosferë spektakolare në “Son Moix”, aty ku Mallorca priti Valencian në kuadër të javës së 33-të të La Liga.

Në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili mori një nderim të veçantë nga tifozët vendas para fillimit të ndeshjes.

Përkrahësit e Mallorcës shpalosën një koreografi mbresëlënëse me portretin e Muriqit dhe mbishkrimin “Isla Pirata” – “Ishulli i Piratit”, një nofkë që tashmë identifikon sulmuesin prizrenas si simbol të skuadrës.

Ky vlerësim vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm për Muriqin, i cili ka realizuar plot 21 gola në kampionat, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë në Spanjë.

Vetëm Kylian Mbappé ka shënuar më shumë këtë edicion, me 23 gola.

Forma e tij e shkëlqyer nuk ndalet me kaq. Muriqi ka hyrë në historinë e klubit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Mallorcën në La Liga, duke lënë pas legjendën Samuel Eto'o.

Nga një transferim i diskutuar në një ikonë të klubit – Muriqi po jeton sezonin e tij më të mirë, ndërsa tifozët e kanë bërë tashmë “mbretin” e ishullit.