A rrezikon Shqipëria? ‘Tërmeti’ amerikan: Samitet e NATO-s të bëhen çdo dy vite! Trump mund të mos shkojë...
Shqipëria pret të organizojë për herë të parë një samit të NATO-s në vitin 2027.
Por tensionet mes SHBA dhe NATO-s kanë krijuar një situatë të paqartë.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA raporton se SHBA kanë propozuar që samitet e NATO-s të mbahen çdo dy vite, duke nisur pas samitit të NATO-s të këtij viti që do organizohet në korrik në Ankara të Turqisë.
Agjencia italiane shkruan se propozimi amerikan ka marrë njëfarë miratimi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, por është pritur shumë negativisht nga vendet e tjera.
Sipas medias italiane, deri më tani është arritur njëfarë kompromisi, që samiti i parashikuar për në Shqipëri në vitin 2027 të mbahet në vjeshtë dhe jo në verë siç ndodh zakonisht.
Një zyrtar i aleancës tha se frekuenca e samiteve të NATO-s ka ndryshuar me kohën.
Samitet e përvitshme në fakt kanë nisur të mbahen prej vitit 2021.
Burimet diplomatike thonë se propozimi amerikan vjen pas tensioneve mes SHBA dhe vendeve të tjera të NATO-s.
Madje një burim tha se prania e Donald Trump në samitin e NATO-s në Ankara nuk është e sigurt, duke mos përjashtuar mundësinë që në vend të tij të shkojë JD Vance.