‘Shqipëria nën lupën e BE’/ Zhulali: Rama zhvillon diplomaci në hije dhe shmang transparencën për kontratat e dyshimta
Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, ngre alarmin për një qasje të dyfishtë të kryeministrit Edi Rama në raport me partnerët ndërkombëtarë.
E ftuar në ‘Task-Forcë’ në SYRI TV, ajo u shpreh se lëvizjet e fundit diplomatike dhe takimet e zhvilluara larg vëmendjes publike tregojnë një përpjekje për të shmangur ekspozimin, në një kohë kur Shqipëria ndodhet nën vëzhgimin e Bashkimit Europian për transparencën dhe standardet në procesin e integrimit. Në vend që të përshpejtojë reformat drejt anëtarësimit, Rama thotë Zhulali, vijon marrëveshje të diskutueshme me vende jashtë orbitës euroatlantike, duke rritur pikëpyetjet mbi prioritetet reale të qeverisë.
Ilda Zhulali: Po të shikojmë edhe lëvizjet e tij, ai ka bërë disa takime në pothuajse errësirë, për të mos i dhënë shumë hapësirë edhe mediatizim, sepse nuk do të ekspozohet, për shembull si në Spanjë, si një njeri që është përfshirë në një lëvizje globale anti-Trump. Apo kësaj here në Dubai, që është një marrëveshje biznesi qartësisht, mirëpo me sa duket kryeministri nuk do që të ekspozohet këtu, sepse Shqipëria për momentin është nën lupën e Bashkimit Europian për shkak të negociatave të anëtarësimit dhe një nga shqetësimet që ka ngritur Bashkimi Europian në mënyrë të vazhdueshme janë këto kontratat e çuditshme që Shqipëria bën me vende të treta, siç e quan BE-ja, ku nuk ka transparencë, nuk ka konkurrencë dhe aq më tepër që bëhet fjalë për sisteme që kanë një sensitivitet të shtuar, sepse kanë të bëjnë me të dhënat personale të qytetarëve, ka të bëjnë me sigurinë, dhe këto sisteme është e preferueshme nga BE-ja që të menaxhohen nga kompani që janë brenda hapësirës europiane, edhe brenda hapësirës së NATO-s.
Edhe nga shuplaka, jo thjesht nga radari, sepse në momentin që ai ekspozohet, pastaj fillon kërkesa e llogarisë, pastaj vazhdon me penalitete, sepse Shqipëria është paralajmëruar disa herë për kontrata të këtij lloji, madje ka dhe detyrimin që duhet të heqë dorë prej tyre në momentin e anëtarësimit. Kështu që, Edi Rama në vend që tani, përderisa pretendon që synim kryesor ka Shqipërinë në BE në 2030-ën, do të duhet që të gjithë motorët t'i vinte në përdorim për këtë proces, por ai nuk ndalon nga këto aferat e biznesit që i bën me klientë të veçantë, të përzgjedhur që dalin jashtë spektrit të BE-së dhe të NATO-s gjithashtu. Ka mbetur në vendnumëro, për momentin, dhe ai e di që në fakt nuk ka një rrugë të hapur siç e ka sot, për shembull, Mali i Zi. Për të cilin po flitet që është në proces i përgatitjes së traktatit të anëtarësimit. Që do të duhet të diskutohet mes vendeve anëtare dhe Malit të Zi, pas edhe referendumit që do të bëjë Islanda me 29 gusht të vitit të këtij viti, dhe duket se do të kemi një paketë të përbashkët Islandë, Mali i Zi, por Shqipëria nuk do të jetë pjesë e kësaj pakete. Dhe tani Edi Rama duke ditur që nuk e ka kapur këtë tren të anëtarësimit të shpejtë në BE, njëherë flirtoi me Vuçiçin për t'i bërë presion Bashkimit Europian. Tani bën sikur është i interesuar në BE, por në fakt vazhdon biznesin e tij me vende të tjera dhe kontrata të dyshimta.