‘Dhe më thoni gjumash dhe çuditeni pse fle!’-Iriqi bisedon me Lul Bashën

Iriqi: - E para ku gjendesh?

Basha: - Në atdhe.

Iriqi: - Je në Shqipëri e nuk ndjehesh?

Basha: - Jam në Holandë. Unë, gruaja, familja kemi nënshtetësi holandeze, pra jam në atdhe.

Iriqi: - Po Shqipëria?

Basha: - E kam atdhe me part-time, pra si shkollat e natës qëmoti. Një ditë po, një jo.

Iriqi: - Po opozitën si do e bësh?

Basha: - Që nga këtej. Ja e nisa një lajm se do na vendosin vizat. U bë rrëmujë andej, apo jo?

Iriqi: - Asgjë nuk ndodhi. Veç ministër Bushati e quajti klithje gjinkalle dhe Jul Deda që tha të klithim më fort. Ti beson se do vihen vizat?

Basha: - Ne dhe vizat na duhen e pastaj do quhet regjimi i Tiranës si ai i Sirisë. Do ikin dhe pleqtë me vrap. Ndaj Evropës nuk i leverdis. Më mirë na pranon me drogë se sa të na mbajë me bukë.

Iriqi: - Po kur të hapet parlamenti do vish në Tiranë?

Basha: - Të shoh, se po e dredh Rama.

Iriqi: - Çfarë po dredh?

Basha: - Po ja, e lashë të merrte mbi 70 deputetë që ta kish timonin me mua. Se nuk dua gishtat e Metës të ma lëvizë drejtimin, më tha. I besova, e lashë të vidhte dhe tani qumështin na e mori, djemtë nuk na i pranon për ministra.

Iriqi: - Pse çfarë ministrie do merrnit?

Basha: - Ato pa tepsi. P.sh të integrimit, të kulturës, të turizmit, të përkrahjes sociale.

Iriqi: - E ç'ju duhen këto?

Basha: - Që ta mësojë Patozi se kemi fituar zgjedhjet.

Iriqi: - Pra do jeni në koalicion.

Basha: - Edhe do jemi, edhe nuk do jemi. Por do e sqaroj më vonë se ashtu është një punë.

Iriqi: - Po ndonjë protestë do bëni?

Basha: - Mbase për krishtlindje.

Iriqi: - Pse?

Basha: - Nuk do ketë drita në Prrenjas p.sh e ne do kërkojmë me forcë sjelljen e dritave urgjent.

Iriqi: - Po Metën pse e luftuat aq shumë?

Basha: - Meta është si shprehja që kur janë dy i treti është i tepërt. Tani edhe nëse nuk ngrihemi do konsumohet vetë qeveria. Ne do rrimë në breg të lumit dhe do presim kur të kalojë kufoma.

Iriqi: - Në se Ruçi bëhet kryetar parlamenti çfarë do bëni?

Basha: - Ruçi është analfabet, por jo budalla. Jam i sigurt që në se do pranojë duhet të bëjë festën e abetares më parë.

Iriqi: - Shumë kritika ke nga brenda partisë.

Basha: - Ndaj quhemi Parti Demokratike. Nuk ka vend për diktat. Hej, sa më qesht kur më thonë që unë jam gjumash e pastaj bërtasin pse unë fle! Gallatë e madhe.

Iriqi: - Në se Rama nuk u jep asnjë ministri çfarë do bësh?

Basha: - Do rri në Holandë. Nuk vij hiç në Tiranë. Mua më vjen keq për popullin se për vete sa zgjohem shoh tulipanë e ndjej aromë luleje kudo. Dhe pasdite e thith ndonjë cigare hashash. Qejf, o qejf, por jam i detyruar të  bëj opozitë për progresin e atij vendi. E di Rama që po iu qepa unë s'ka Merkel që e shpëton. Ndaj t'i bëjë hesapet tamam se jam Lulëzim Basha e prapa nuk  më vjen as partia...

Iriqi: - Po me Berishën si janë raportet?

Basha: - Alo, Iriq, alo... Iku sinjali. Duhet një protestë ndaj kompanive celulare. Alo? Alo?...