Policia në Londër arreston shtatë persona për planifikimin e një sulmi ndaj komunitetit hebre
Policia e Londrës ka arrestuar shtatë të dyshuar për planifikimin e një sulmi ndaj komunitetit hebre.
Policia njoftoi sot se ata u arrestuan gjatë dy ditëve të fundit dhe se arrestimet janë pjesë e një hetimi mbi një komplot për t'i vënë zjarrin vendeve të lidhura me komunitetin hebre .
Aktualisht, objektivat e sakta të sulmeve të planifikuara nuk dihen.
Të dielën, më 19 prill, detektivët e Njësisë Antiterroriste arrestuan tre burra, të moshës 24, 25 dhe 26 vjeç, të cilët më vonë u liruan me kusht.
Të hënën, më 20 prill, u arrestuan dy burra, të moshës 25 dhe 26 vjeç, dhe dy gra, të moshës 50 dhe 59 vjeç.Të gjithë u dërguan në një stacion policie në Londër ku ndodhen në paraburgim.
Që nga sulmi ndaj ambulancave të Ambulancës Vullnetare Hebraike më 23 mars, policia e Londrës ka arrestuar gjithsej 23 persona.
Tetë persona janë akuzuar për vepra penale që lidhen me zjarrvënien e qëllimshme, ndërsa 13 persona mbeten në paraburgim ose janë liruar me kusht, si pjesë e një hetimi policor në vazhdim, tha policia e Londrës.Policia tha të hënën se kishte arrestuar dy adoleshentë në lidhje me sulmin me zjarrvënie në një sinagogë në Londrën veriperëndimore fundjavën e kaluar.
"Mesazhi ynë është i qartë, ne nuk do ta tolerojmë këtë frikësim të komuniteteve tona dhe do t'i ndjekim penalisht ata që janë përgjegjës. Një nga linjat kryesore të hetimit tonë është nëse ndërmjetësit kriminelë, pra njerëzit që paguhen për të kryer krime, po përdoren për të kryer ndonjë nga zjarrvëniet", tha koordinatorja kombëtare kundër terrorizmit, Vicky Evans.