Flick flet hapur: E ardhmja te Barcelona dhe ‘plaga’ e Championsit

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka hedhur dritë mbi të ardhmen e tij në klubin katalanas, duke konfirmuar se dëshiron të vazhdojë aventurën në “Camp Nou” edhe për disa vite të tjera, pavarësisht zhgënjimit të madh në arenën europiane.

Pas eliminimit dramatik nga Atletico Madrid në Champions League, tekniku gjerman nuk e fshehu dhimbjen, duke e cilësuar largimin si “shumë të rëndë”.

Barcelona u ndal për të dytin sezon radhazi në mënyrë të dhimbshme, duke mos arritur të sigurojë avantazh në ndeshjen e parë në shtëpi.

Megjithatë, Flick kërkon që skuadra ta kthejë këtë zhgënjim në motivim: “Është një rrugëtim për ne. Kemi një ekip të ri dhe këto janë momente nga të cilat duhet të mësojmë. Dhemb shumë, por duhet të bëhemi më të fortë. Jam krenar për mënyrën si kemi luajtur”, u shpreh ai.

Fokusi tashmë është zhvendosur plotësisht te La Liga, ku Barcelona kryeson renditjen.

Flick theksoi se gara për titull mbetet e hapur dhe kërkon përkushtim maksimal në javët e mbetura: “La Liga nuk është e lehtë. Duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje. Eliminimi na dhemb, por na jep energji për të reaguar”.

Ndërkohë, spekulimet për një rinovim kontrate deri në vitin 2028 – kur pritet të përfundojnë punimet në Camp Nou – duket se nuk janë larg realitetit.

Vetë Flick pranoi se dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti afatgjatë: “Ëndrra ime është të fitojmë Championsin dhe të ndërtojmë një skuadër të madhe për të ardhmen. Do të doja të isha këtu kur stadiumi të përfundojë. Ndihem si në familje”.

Ai gjithashtu pranoi se mungesat si Raphinha dhe Frenkie de Jong ndikuan në eliminim, por theksoi se skuadra duhet të rritet në aspektin e lidershipit dhe organizimit në fushë.

Në fund, Flick e cilësoi eksperiencën te Barcelona si kulmin e karrierës së tij, duke nënvizuar ambientin fantastik në klub dhe mbështetjen e tifozëve.

Barcelona rikthehet në aksion kundër Celta Vigo, me synimin për t’u rikthyer te fitoret dhe për të hedhur një tjetër hap drejt titullit në Spanjë.