SYRI TV/ S'ka lehtësim për prodhimin: Socialistët votojnë kundër heqjes së akcizës së gazit

Mazhoranca socialiste ka votuar kundër propozimit të Partisë Demokratike për eliminimin e akcizës për gazin natyror që përdoret për prodhim. Në Komisionin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, deputetët e PD-së ngritën shqetësimin edhe për taksat e naftës, të cilat e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me çmimin më të lartë të naftës në Evropë.

Mazhoranca ka rrëzuar propozimin e Partisë Demokratike për eliminimin e akcizës për gazin natyror që përdoret për qëllime prodhimi nga ndërmarrjet. Socialistët refuzuan, me forcën e kartonit, propozimin e deputetit demokrat Eno Bozdo, i cili për këtë propozim iu referua edhe praktikave të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Teksa socialistët njoftuan qëndrimin kundër, deputeti demokrat Xhelal Mziu u kujtoi taksat e larta që rëndojnë çmimin e naftës në Shqipëri, duke e bërë atë një nga më të lartët në Evropë.

Prej javësh, opozita po kërkon nga qeveria eliminimin ose uljen e taksës së qarkullimit, në kushtet kur çmimi i naftës po vijon të rritet si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.