'S'do zgjas armëpushimin', Trump: Irani 's' ka zgjidhje', të dërgojë negociatorët në Islamabad
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të dërgojë delegatë” në Pakistan për bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për CNBC, Trump u shpreh i bindur se SHBA-të do të arrijnë “një marrëveshje shumë të mirë” me Iranin, pavarësisht vështirësive në negociata.
Ai theksoi se SHBA-të “nuk kanë të bëjnë me njerëzit më të mirë”, por sipas tij po veprojnë “me sukses”, ndërsa e cilësoi bllokadën detare amerikane si një “sukses të jashtëzakonshëm”.
I pyetur nëse do të zgjasë armëpushimin në rast se bisedimet ecin përpara, Trump u përgjigj prerë: “Nuk dua ta bëj këtë”.
Më tej, ai paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet, duke deklaruar: “Pres të ketë bombardime, sepse kjo do të ishte një qasje më e mirë”.
Presidenti amerikan shtoi se nuk ka “shumë kohë” për të arritur një marrëveshje, por theksoi se Irani mund të vendoset në një pozicion shumë të favorshëm nëse arrin një marrëveshje me SHBA-të.