Conte e ka ‘fshirë’, largimi i Lukakut nga Napoli i pashmangshëm

Aventura e Romelu Lukaku-t te Napoli duket se po shkon drejt mbylljes përfundimtare. Sulmuesi belg nuk ka arritur të gjejë qetësinë në ambientin napolitan dhe tensionet e fundit kanë përkeqësuar situatën, duke e bërë ndarjen pothuajse të pashmangshme në fund të sezonit.

Sipas raportimeve, marrëdhënia mes Lukakut dhe trajnerit Antonio Conte është ftohur ndjeshëm. Madje, mungesa e një takimi mes tyre së fundmi dhe fakti që lojtari nuk ka përshëndetur as stafin apo shokët e skuadrës, tregojnë se diçka është thyer përfundimisht në raportin mes palëve.

Klubi italian tashmë po mendon për të ardhmen dhe synon të kursejë pagën e majme prej 8.5 milionë eurosh që parashikohet në vitin e fundit të kontratës së lojtarit. Drejtuesit shpresojnë që paraqitjet e Lukakut me Belgjikën në Botërorin e ardhshëm të rrisin vlerën e tij në treg, duke e bërë më të lehtë shitjen gjatë verës.

Në këtë pikë, gjithçka tregon se ndarja mes palëve është vetëm çështje kohe. Napoli është gati ta mbyllë këtë kapitull, ndërsa Lukaku duket i fokusuar te rikthimi në formën më të mirë dhe te një aventurë e re larg Italisë.