Persekutimi dhe izolimi politik i Ilir Metës dhe kontrasti me Maqedoninë e Veriut
Refuzimi i përsëritur dhe i qëllimshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për t’u lejuar gazetarëve intervistimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, në IEVP “Jordan Misja”, nuk përbën thjesht një shkelje administrative.
Është një akt i qartë censure, shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, një mekanizëm represioni dhe një formë e pastër persekutimi politik.
Edhe pse kërkesat e shumë gazetarëve janë miratuar nga SPAK, ato bllokohen arbitrarisht nga Drejtoria e Burgjeve, në kundërshtim të hapur me ligjin, Kushtetutën, KEDNJ dhe në shpërfillje të rekomandimeve zyrtare dhe publike të Avokatit të Popullit.
Pra vetë subjekti i interesuar më shumë për të patur izolim (SPAK) i jep lejet për intervistë, ndërsa subjekti që duhet ta respektojë lejen (Drejtoria e Burgjeve) nuk pyet për miratimin e kërkesave nga prokurorët.
Fiks siç thotë populli “më i rëndë bishti se sqepari”.
Kjo ndodh sepse dihet që Drejtori suprem i Burgjeve është vetë, Edi Rama.
Refuzimi i Drejtorisë së Burgjeve për të respektuar kërkesat e gazetarëve dhe lejen që ata kanë marrë nga SPAK për intervistë me Z. Meta, nuk është një problem procedural, por një sjellje e qëllimshme antiligjore dhe antikushtetuese institucionale që synon izolimin ekstrem politik të një lideri opozitar dhe kontrollin e plotë të informacionit që i shkon publikut.
Në një shtet demokratik, e drejta e të paraburgosurve për të komunikuar me median është standard i garantuar dhe i rregulluar me ligj, jo një privilegj që jepet ose hiqet sipas interesave politike. Kur kjo e drejtë mohohet, nuk kemi më të bëjmë me kufizim, por me censurë të mirëfilltë dhe persekutimin politik.
Paradoksi bëhet edhe më i fortë kur krahasimi shtrihet përtej kufijve. Në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, gazetarët kanë akses për të intervistuar të paraburgosurit dhe për të dokumentuar me pamje filmike brenda qelive, kushtet e tyre.
Ndërsa në Shqipëri, ky standard elementar demokratik është përmbysur, duke e kthyer persekutimin politik dhe censurën në normë, ndërsa respektimin e Kushtetutës dhe transparencën në tabu.
Edhe në vendet më autokratike të botës, si në Rusinë e Putinit, kjo e drejtë nuk u mohohet kundërshtarëve të tij politikë në burgjet më të largëta të Siberisë.
Në emër të Partisë së Lirisë, dënojmë me forcë këtë praktikë kriminale dhe kërkojmë garantimin pa asnjë pengesë të së drejtës themelore njerëzore dhe politike të Presidentit Meta për të komunikuar me publikun përmes mediave.
Kushdo që shpërdoron me qëllim detyrën, për të cilët kemi bërë edhe kallëzim penal, shumë shpejt do të përgjigjet para ligjit.