Shpresa Breçani: Përgënjeshtrim ndaj një lajmi të pavërtetë

Shpresa Breçani, audituese ligjore dhe administratore falimenti, ka reaguar publikisht duke përgënjeshtruar lajmin me titull “Skandali me dyqanet e ‘KFC’, zbardhet karteli që fshihet pas tyre; në listë mashtruesi i GULF Albano Aliko, Amant Josifi dhe Shpresa Breçani”, të publikuar nga portali “Pamfleti”. Në reagimin e saj, ajo i cilëson pretendimet e ngritura si të pavërteta dhe shpifëse, duke mohuar çdo lidhje me aktivitetet e përmendura në artikull.

Përgënjeshtrimi:

I dënuar me vendim gjykate për shpifje, Gjergj Zefi vazhdon përdhosjen e mediave.

Unë nuk kam asnjë lidhje me KFC-në, ndryshe nga sa pretendohet në titullin shpifës të Gjergj Zefit.

Arsyeja e këtij mashtrimi të radhës është fakti se gjykata ka dhënë vendim gjyqësor kundër tij për shpifje, pas një padie të ngritur prej meje për një tjetër shpifje të tij.

Për transparencë, sqaroj se 15 vjet me pare kam audituar nje subjekt ku një nga ortakët ka qënë z.Albano Aliko. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të auditoj kompani të ndryshme, sipas kërkesës, pasi ky është profesioni im, për të cilin jam shkolluar dhe licencuar.

Unë e ushtroj profesionin tim duke respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet e shtetit, si dhe standardet profesionale, dhe jam krenare për punën që bëj.

Jam e gatshme dhe transparente për çdo lloj pretendimi në lidhje me mënyrën e ushtrimit të profesionit tim.

Çfarë ortakërish bëjnë biznesmenët midis tyre nuk është çështje ime. Unë nuk jam ortake në këto biznese.

Rasti në fjalë është një gënjeshtër e pastër, për të cilën Gjergj Zefi do të përgjigjet përsëri në gjykatë, sipas ligjit.

U kërkoj mediave të heqin shkrimet shpifëse nga portalet e tyre. Në të kundërt, prezumoj se, nëpërmjet këtij njoftimi publik, janë të njoftuara për pavërtetësinë e lajmit dhe do të përballen potencialisht me padi në gjykatë.

Në pritje të një reagimi të menjëhershëm nga ana juaj, në përputhje me ligjin,

 Shpresa BREÇANI

Audituese Ligjore

Lic. Nr. 143, datë 29.06.2005

Administratore Falimenti

Lic. Nr.9, date 15.10.2012