Heroi i Youth League ftohet në ekipin e parë të Real Madridit ndaj Alavés

Real Madridi ka përfshirë në listën e ndeshjes ndaj Deportivo Alavés portierin e ri, Javi Navarro,, pas mungesës së Fran González për shkak dëmtimi në stërvitje. Takimi do të luhet në orën 21:30, në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’.

Navarro është bërë protagonist absolut i triumfit të dytë radhazi të Real Madridit në UEFA Youth League, duke shkëlqyer sidomos në ndeshjet vendimtare. Portieri i ri arriti të ndalë pesë penallti në total gjatë gjysmëfinales dhe finales, duke qenë figura kryesore në suksesin e skuadrës.

Pas dëmtimit të Fran González, Arbeloa ka vendosur ta thërrasë menjëherë në ekipin e parë, duke e përfshirë në grupin e portierëve së bashku me Andriy Lunin dhe Diego Mestre. Vetëm pak orë pas finales së madhe, Navarro do të jetë pjesë e skuadrës së parë në një moment historik për të.

Performanca e tij në Youth League ka qenë e jashtëzakonshme: në gjysmëfinale ndaj Paris Saint-Germain ndali tri penallti, ndërsa në finalen ndaj Club Brugge ishte vendimtar me dy pritje të tjera në serinë e penalltive.

Përpara ndeshjes me Alavés, skuadra e të rinjve të Real Madridit do të nderohet në “Bernabéu”, ku do të prezantojë trofeun për tifozët. Navarro pritet më pas të ulet në stol me ekipin e parë.

Performanca e tij është vlerësuar edhe nga portieri i parë i klubit, Thibaut Courtois, i cili i ka dedikuar një mesazh mbështetjeje në rrjetet sociale, duke e përgëzuar për paraqitjet e jashtëzakonshme.

Një ngjitje e shpejtë dhe e merituar për talentin e ri të “Los Blancos”, që tani merr shansin të jetë pranë ekipit të parë në një mbrëmje të rëndësishme në La Liga.