FIA ndryshon rregullat në Formula 1, synohet parakalimi më i sigurt që në Miami

FIA ka zyrtarizuar një paketë të re ndryshimesh në rregullat e Formulës 1, me synimin për ta bërë parakalimin më të sigurt dhe garat më dinamike. Këto modifikime do të hyjnë në fuqi që në Çmimin e Madh të Miami, më 3 maj.

Ndryshimet lidhen kryesisht me mënyrën se si makinat përdorin energjinë elektrike gjatë garës dhe në kualifikuese, duke synuar uljen e rrezikut të përplasjeve me shpejtësi të lartë gjatë momenteve të parakalimit. FIA theksoi se vendimi është marrë pas konsultimeve me skuadrat dhe prodhuesit e motorëve, si dhe me pilotët.

Sipas rregullave të reja, do të ketë karikim më të shpejtë të energjisë në shpejtësi të larta, por një kufizim të sasisë maksimale të energjisë që mund të rikuperohet për çdo xhiro. Qëllimi është të shmanget përdorimi i tepruar strategjik i baterisë, që sipas disa pilotëve ka ndikuar negativisht në aspektin sportiv të kualifikueseve.

Në deklaratën zyrtare, FIA sqaroi se objektivi kryesor është të reduktohet konsumi i panevojshëm i energjisë dhe të inkurajohet një stil më i qëndrueshëm i drejtimit, me më shumë kohë “full gas”, duke ruajtur njëkohësisht mundësitë për parakalim.

Përveç kësaj, paketa përfshin edhe masa shtesë sigurie në kushte shiu dhe ndryshime në mënyrën e nisjes së garës për të ulur rrezikun e aksidenteve në start. Do të testohen gjithashtu paralajmërime vizuale për pilotët dhe kufizime në fuqinë shtesë të sistemit “boost”, i përdorur për parakalime.

Këto rregulla të reja pritet të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si zhvillohen garat, duke synuar një ekuilibër më të mirë mes spektaklit dhe sigurisë në pistat e Formula 1.