Muriqi, marrëveshje paraprake me Fenerbahçe-n, nisin negociatat me Mallorca-n

Fenerbahçe ka arritur një marrëveshje paraprake me ish-sulmuesin e saj Vedat Muriqi, duke hapur rrugën për një rikthim të mundshëm të kosovarit në Stamboll, shkruan media turke ‘Sabah’. Klubi turk, i cili po vuan mungesën e një sulmuesi të mirëfilltë, ka vendosur të përshpejtojë lëvizjet në merkato.

Sipas raportimeve, Fenerbahçe ka arritur një marrëveshje paraprake me Muriqin, i cili është i hapur për rikthim, ndërsa tani vëmendja është përqendruar te negociatat me Mallorca-n për kartonin e lojtarit.

Sulmuesi kosovar ka kontratë me klubin spanjoll deri në qershor të vitit 2029, ndërsa Mallorca pritet të kërkojë rreth 10 milionë euro për ta lënë të lirë. Fenerbahçe pritet të ulet në bisedime për të gjetur një marrëveshje për transferimin e tij.

Muriqi po zhvillon një sezon shumë të mirë në La Liga, duke shënuar 21 gola dhe duke u renditur i dyti në garën për Këpucën e Artë pas Kylian Mbappé-së  të Real Madridit, i cili ka 23 gola. Në total, ai ka luajtur 30 ndeshje zyrtare këtë sezon, shumicën prej tyre si titullar.

Gjithashtu, raportohet se interes për sulmuesin 31-vjeçar ka shfaqur edhe Barcelona, duke e bërë garën për të edhe më të fortë.

Rikthimi i Muriqit në Stamboll mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos, ndërsa negociatat me Mallorca-n pritet të jenë vendimtare për fatin e transferimit.