Ambasadori amerikan në NATO vjen për vizitë në Kosovë
Ambasadori amerikan në NATO, Mathew Whitaker do të vizitojë sot Kosovën. Whitaker do të qëndrojë në Kosovë sot dhe nesër.
Për vizitën e tij ka bërë të ditur, Policia e Kosovës e cila ka njoftuar se gjatë vizitës së ambasadorit amerikan, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, bëhet e ditur në njoftim.
Vizita e Whitaker nuk ishte bërë e ditur më parë dhe as takimet që ai do të zhvillojë gjatë qëndrimit në Kosovë.