Milani shqyrton largimin e Leao-s, shihni sa ka rënë çmimi i portugezit

Milani po mendon seriozisht për të ardhmen e Rafael Leão-s, duke mos përjashtuar një largim të mundshëm gjatë merkatos së verës. Klubi kuqezi është i gatshëm ta shesë sulmuesin portugez, por vetëm nëse mbërrin një ofertë që varion nga 40 deri në 50 milionë euro, gjë që deri tani nuk ka ndodhur.

Leao ka kontratë deri në vitin 2028 dhe përfiton rreth 7 milionë euro në sezon, ndaj Milani nuk ka ndërmend ta shesë me çdo kusht apo ta “dhurojë” lojtarin. Destinacionet e mundshme mbeten Arabia Saudite, Premier League, si dhe një opsion më pak i nxehtë si Barcelona, që e ka ndjekur edhe në të kaluarën, por pa entuziazëm të madh aktualisht.

Madje, Leao mund të konsiderohet si një nga alternativat për të zëvendësuar Marcus Rashford në rast se anglezi rikthehet te Manchester United, por nuk duket të jetë prioritet absolut për klubet e interesuara.

Forma e tij këtë sezon ka qenë e luhatshme dhe kjo ka ndikuar në mungesën e interesit të madh nga klubet. Në ndeshjen ndaj Veronës dha një asist cilësor për Adrien Rabiot, por në përgjithësi performancat kanë qenë nën pritshmëri. Trajneri Massimiliano Allegri është përpjekur ta menaxhojë si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë njerëzor, duke e mbështetur edhe kur e zëvendësonte shpesh para kohe.

Edhe tifozët në ‘San Siro’ kanë nisur të humbasin durimin, duke e shprehur pakënaqësinë me fishkëllima. Megjithatë, ideja që Milani mund të heqë dorë lehtësisht nga një lojtar që ka qenë vendimtar në vitet e fundit nuk është e thjeshtë.

Pavarësisht një sezoni të vështirë, i ndikuar nga dëmtimet dhe forma jo e qëndrueshme, Leao ka regjistruar 9 gola dhe 3 asistime, shpesh duke luajtur në një rol jo të zakonshëm për të. Kupa e Botës me Portugalinë mund të jetë një mundësi ideale për t’u ringritur. Në varësi të paraqitjeve të tij, drejtuesit e Milanit do të vendosin nëse do t’i japin një tjetër shans apo do të pranojnë ofertat që mund të vijnë pas turneut.