Alcaraz triumfon ndaj Sinner-it në ‘Laureus’, shpallet sportisti i vitit

Carlos Alcaraz është shpallur “Sportisti i Vitit” në ‘Laureus World Sports Awards 2026’, duke fituar duelin me Jannik Sinner në ceremoninë e mbajtur në Madrid. Çmimi vjen pas një viti të jashtëzakonshëm për spanjollin, i cili në vitin 2025 arriti majat e tenisit botëror duke u renditur numri 1 në botë në qarkun ATP.

Në sezonin e kaluar, Alcaraz fitoi dy turne të mëdhenj të Grand Slam-it, Roland Garros dhe US Open, si dhe arriti finalen në Wimbledon. Në moshën vetëm 22-vjeçare, ai bëhet fituesi më i ri i këtij çmimi prestigjioz, duke ndjekur gjurmët e legjendave si Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic.

“Është një nder i jashtëzakonshëm të fitoj këtë çmim. Si tenist luftoj për tituj në fushë, por kjo statujë ka një kuptim më të madh, sepse më vendos mes sportistëve më të mirë në botë, në çdo disiplinë”, deklaroi Alcaraz gjatë ceremonisë. Ai kujtoi edhe momentin kur në vitin 2023 fitoi çmimin si “Zbulimi i Vitit”, ku pati rastin të takonte idhullin e tij, Lionel Messi, duke shtuar se atëherë kishte ëndërruar të ishte një ditë në mesin e fituesve të mëdhenj.

Spanjolli nuk harroi të falënderonte rivalin e tij Sinner, duke theksuar se përballjet mes tyre kanë ndikuar në rritjen e nivelit të të dyve. “Pa sfidat tona në fushë, nuk besoj se do të kishim arritur këto nivele”, tha ai.

Alcaraz përmendi edhe frymëzimin nga Nelson Mandela, duke theksuar se beson se sporti mund të ndryshojë botën dhe të krijojë mundësi për brezat e rinj. Në fund, ai u shpreh i fokusuar te rikuperimi dhe vazhdimësia e punës, duke e konsideruar garën për vendin e parë me Sinner-in si një sfidë të bukur që do të zgjasë në vite.