Interi pranë historisë me Chivu, Como kërkon të thyejë tabunë në ‘San Siro’

Cristian Chivu e ka titullin kampion pothuajse në dorë, me një avantazh prej 12 pikësh pesë javë para fundit të Serie A, dhe tani synon të realizojë edhe një tjetër objektiv të madh. Interi është shumë pranë finales së upës së Italisë dhe ëndërron ‘dopietën’, një sukses që mungon që nga sezoni i lavdishëm 2009/10 nën drejtimin e José Mourinho-s.

Pengesa e radhës për zikaltrit është Como, një kundërshtare që është mposhtur në përballjen e fundit në kampionat, por që synon një surprizë të madhe. Gjithçka nis nga barazimi 0-0 i ndeshjes së parë, një takim pa shumë emocione, ku Como la një përshtypje më të mirë, pavarësisht rezultatit.

Dy skuadrat përballen sërish pas rreth një muaji e gjysmë në gjysmëfinalen e kthimit, me synimin për të siguruar një vend në finale. Përballjet mes tyre këtë sezon kanë qenë të mbushura me gola: një fitore e thellë 4-0 për Interin në ndeshjen e parë dhe një sukses spektakolar 4-3 me përmbysje për skuadrën e Chivu në të dytën.

Një element i përbashkët në këto sfida ka qenë Marcus Thuram, gjithmonë vendimtar, ndërsa trajneri i Comos, Cesc Fàbregas, nuk ka arritur ende të fitojë ndaj Interit gjatë eksperiencës së tij në Itali. Për të arritur finalen dhe për të ëndërruar trofeun e parë në historinë e klubit, Como duhet të thyejë këtë tabu.

Sa u përket formacioneve, Interi pritet të bëjë disa rotacione, duke qenë pa Alessandro Bastonin dhe Lautaro Martínezin. Ndërkohë, Como mund të ndryshojë skemën për të përballuar forcën e zikaltërve, duke provuar alternativa taktike për të arritur një mrekulli në ‘San Siro’.

Historia nuk është në anën e Comos: skuadra nuk e ka mposhtur Interin që nga sezoni 1985/86 dhe nuk ka fituar në “San Siro” që prej vitit 1949/50. Një sfidë e vështirë për Fàbregas dhe të tijtë, që kërkojnë të shkruajnë historinë.