‘Qeveria po na godet me civilë kamikazë’/ Arla Merja: Në 17 prill, qytetarët në këmbë për dinjitet

Nga foltorja e protestës së opozitës përpara Kryeministrisë,  Arla Merja, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, akuzoi qeverinë, si jo legjitime dhe duke e akuzuar për përdorim dhune dhe taktikash të paprecedenta ndaj protestuesve.

Gjatë fjalës së saj, Merja deklaroi se protesta e 17 prillit nuk ishte një përballje e thjeshtë mes protestuesve dhe policisë, por një “përballje e qytetarëve të lirë me një aparat force që shërben vetëm për një regjim që mbahet në këmbë me presion dhe frikë”.

Sipas saj, një qeveri që nuk dëgjon qytetarët, vjedh votën dhe kontrollon institucionet, nuk mund të jetë legjitime. Akuza më e fortë ishte ajo se pushteti, për të qëndruar në këmbë, “godet qytetarët e vet nëpërmjet civilave kamikazë në protestën e opozitës së bashkuar”.

Merja: Nderim dhe mirënjohje të thellë dhe të sinqertë për çdo qytetar që ishte në protestën e 17 prillit. Mirënjohje për çdo burrë, për çdo grua, për çdo të ri dhe të re që dolën në shesh jo për interes, por për dinjitet. Dhuna nuk e ndal dot një popull që është çuar në këmbë. Ajo që ndodhi në protestën e fundit nuk ishte thjesht një përballje protestuesish me policinë, por ishte përballja e qytetarëve të lirë me një aparat force që shërben vetëm për një regjim që mbahet në këmbë me presion dhe frikë. Një qeveri që nuk dëgjon qytetarët nuk është legjitime. Një qeveri që vjedh votën dhe kontrollon çdo institucion nuk është legjitime. Një qeveri, e cila për të qëndruar në pushtet, godet qytetarët e vet nëpërmjet civilave kamikazë në protestën e opozitës së bashkuar, nuk është legjitime. Dhe për çfarë protestojnë qytetarët? Protestojnë sepse nuk e përballojnë më çmimin që rritet çdo ditë. Protestojnë sepse fermerët janë lënë në mëshirë të fatit, pa mbështetje, pa subvencione. Protestojnë sepse të rinjtë po largohen çdo ditë. Protestojnë sepse korrupsioni ka kapur çdo qelizë të shtetit dhe drejtësia është kthyer në vegël politike. Protestojnë sepse po mbytemi nga betoni, si ai betoni europian që pamë tek farmacia 10. Protestojnë sepse nuk kanë më besim tek zgjedhjet, tek institucionet, tek një shtet që duhet t'i mbrojë. Dhe përballë kësaj, çfarë bën pushteti? Dhunon, hedh gaz, godet me shkopi, intimidon dhe frikëson qytetarët e deputetët. Asgjë nuk e ndal dot zemëratën e një populli të shtypur. Përkundrazi, çdo akt dhune vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë. Opozita do të vijojë të përshkallëzojë aksionin e saj derisa kjo qeveri jo legjitime të ketë fundin që meriton, si të çdo organizate tjetër kriminale, të shkërmoqet nën këmbët e sovranit. Ne jemi më të vendosur se kurrë të paguajmë çdo çmim dhe çdo sakrificë, si përherë, në ballë të çdo proteste dhe çdo aksioni opozitar, për t'i shkurtuar ditët regjimit të Edi Ramës. Fitore, fitore, fitore. Kam nderin të ftoj për fjalën e tij, kryetarin e Partisë Demokratike, Profesor, Doktor, Sali Berisha.