Foltorja e PD/ Preng Lala: Dhuna ndaj protestuesve e papranueshme, Shqipëria nuk është pronë e një njeriu
I dhunuar nga policia në protestën e fundit të opozitës, aktivisti i Partisë Demokratike Preng Lala, në fjalën e mbajtur në foltoren e PD-së, akuzoi policinë se po vepron në shërbim të pushtetit dhe jo të qytetarëve.
Ai theksoi se protesta është një e drejtë themelore dhe paralajmëroi se qytetarët nuk mund të pranojnë një shtet që, sipas tij, ushtron presion dhe frikë ndaj tyre.
Preng Lala: Ju me liderin historik, profesor doktor Sali Berishën, po bëni historinë e Shqipërisë. S'u ndalët asnjëherë, s'u trembët asnjëherë nga junta e qeverisë. Sot nuk jam këtu thjesht për të folur për politikë. Jam këtu për të folur për diçka shumë më të rëndë, për dhunën ndaj qytetarëve të lirë. Ajo që pamë në protestë, në protestën e fundit, nuk ishte rend, ishte frikë, ishte presion, ishte një polici që nuk i shërbente qytetarit por pushtetit. Dhe këtu lind pyetja e thjeshtë: Kjo është Shqipëria që duam? Ne vijmë nga një histori krejt ndryshe. Në dhjetor të '90-ës, studentët dolën në rrugë për liri. Protestat e studentëve të dhjetorit '90 na kujtohen të gjithëve ne që kemi qenë në ato kohë. Ndër të parët që e mbështeti ishte profesor doktor Sali Berisha, që mbështeti studentët. Nga ajo lëvizje lindi Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia e Shpresës dhe e Ndryshimit. Kur PD erdhi në pushtet, në vitin '92, Shqipëria ishte në varfëri ekstreme. Kishte vetëm gjashtë ditë bukë. Kështu deklaronte vetë kryeministri i asaj kohe, Ylli Bufi. Po çfarë ndodhi më pas?
U ndërtuan institucionet nga zero. U transformua shëndetësia nga kushte primitive në spitale dhe qendra moderne. U përmirësua arsimi, u ndërtuan shkolla, u rrit numri i mësuesve dhe u fut teknologjia në klasa. U mbështet bujqësia, fermerët morën mjete bujqësore, naftë dhe subvencione. U zhvillua biznesi, i hoqën taksën për biznesin e vogël tre vitet e para. U ndërtuan mijëra kilometra rrugë. Shqipëria hyri në NATO. U hoqën vizat për qytetarët shqiptarë, një ëndërr e hershme. Kjo ishte Shqipëria e mundësive. Sot, sot kemi një realitet ndryshe. Nën qeverinë e Edi Ramës, qytetari nuk ndihet i lirë. Protestuesi përballet me policinë. I riu largohet nga vendi, fshati zbrazet, pensionistët mezi jetojnë. Kjo nuk është rruga përpara. Ne nuk mund të pranojmë një shtet që trembet nga qytetarët e vet. Ne nuk mund të pranojmë që dhuna të zëvendësojë dialogun, sepse Shqipëria nuk është pronë e një njeriu.
Shqipëria është e qytetarëve të saj. Dhe kur qytetarët ngrihen, historia ka treguar, asnjë pushtet nuk i ndal dot. Kur u denoncua trafiku i drogës në ajër, këto shqetësime u hodhën poshtë me ironi. U trajtuan si të pavërteta, si ekzagjerime. Por zëri i doktor Berishës nuk ndaloi derisa e vërteta doli. Siç ishte rasti i Divjakës dhe i Ishmit. Tregon qartë se problemi ishte real dhe serioz. Kjo na jep një mësim të thjeshtë. Problemet nuk zgjidhen duke u tallur, por duke i pranuar dhe duke vepruar. Sepse siguria e qytetarëve dhe e vendit nuk është për humor, është përgjegjësi. Dua t'ju them, dua t'i them kryeministrit të Shqipërisë këtu para jush në këtë foltore. Do t'i kujtoj se si erdhi në pushtet. Ku prezantoi qeverinë e parë në Shkodër, në prezent të kumbarëve të tij Daçiç dhe Vuçiç të Serbisë. Unë si qytetar i thjeshtë e akuzoj kryeministrin që kjo ishte thika pas... thika e parë pas shpine për Kosovën. Dhe dua t'ia them që e fillove pushtetin me tritol dhe me fadromë.