'Mashtrime ordinere', Blushi: SPAK mashtroi SHBA me letra zyrtare, 'prova' të sajuara kundër Ilir Metës

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, deputeti i opozitës Tedi Blushi u shpreh se SPAK ka kryer, një mashtrim të qëllimshëm dhe zyrtar ndaj Departamentit të Drejtësisë në SHBA, duke pretenduar në një letër-porosi të firmosur nga tre prokurorë se Ilir Meta ka përdorur tre karta bankare amerikane.

 Ai theksoi se kjo është një “provë imagjinare”, pasi sipas tij Meta nuk ka përdorur kurrë asnjë kartë bankare, as në Shqipëri dhe as jashtë saj.

Blushi deklaroi se mungojnë plotësisht faktet, provat dhe çdo komunikim që ta implikojë Metën në veprimtari të paligjshme. Sipas tij, kjo çështje është pjesë e një dosjeje të ndërtuar mbi manipulime dhe sajesa, duke e cilësuar procesin ndaj Metës si politik dhe të montuar.

Ai shtoi se këto pretendime do të çmontohen një për një përmes dokumenteve dhe provave ligjore.

Pjesë nga deklarata:

Sot kemi bërë publike, ose më saktë kemi çmontuar, tre nga akuzat apo pretendimet e pabazuara në asnjë provë dhe në asnjë fakt të SPAK-ut. Jemi ndalur kryesisht te ky mashtrim i qëllimshëm, zyrtar, i kryer nga SPAK-u në një letër-porosi të dërguar në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tre prokurorë të SPAK-ut, jo një, por tre, pra janë tre firma të hedhura në këtë letër-porosi, pretendojnë se është e provuar që zoti Meta ka përdorur tre karta bankare amerikane. Bëhet fjalë për prokurorët Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja.

Është edhe më e rëndë. Ata pretendojnë se kanë provuar që zoti Meta i ka përdorur këto karta, kur ndërkohë është fakt që zoti Meta kurrë, e theksoj kurrë, në jetën e tij nuk ka përdorur një kartë bankare shqiptare, jo më amerikane apo evropiane. Në të kundërt, kjo provë do të ishte bërë publike, por ajo nuk ekziston; është thjesht dhe vetëm një “provë” imagjinare. Me këtë rast kemi të bëjmë jo me një mashtrim ordiner, por me një mashtrim të kryer me vetëdije dhe me qëllim ndaj autoriteteve amerikane, konkretisht ndaj Departamentit të Drejtësisë në SHBA. Ky fakt dhe kjo provë nuk ekzistojnë; nuk ka asnjë kartë bankare të përdorur nga zoti Meta gjatë gjithë jetës së tij.

E gjithë dosja, siç kemi denoncuar që në fillim, nuk përbëhet thjesht nga sajesa, por nga mashtrime ordinere dhe manipulime të nivelit më të lartë. Nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë. Kemi theksuar që në krye të herës se standardet e atij rrëmbimi mafioz, që tashmë i kanë parë të gjithë shqiptarët, janë njëherazi edhe standardet e hetimit dhe të paraburgimit të zotit Meta, i cili prej më shumë se 19 muajsh vijon të qëndrojë në izolim ekstrem politik, pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë. Me zero vendime të paligjshme të firmosura prej tij, me zero qindarkë të paligjshme të sekuestruar, me zero metra katrorë pasuri të paligjshme të sekuestruara, me zero mesazhe apo komunikime telefonike që provojnë ndikim për veprimtari të paligjshme. Zero, zero, zero.

Për këtë arsye, ne kemi vijuar dhe do të vijojmë edhe në ditët në vijim t’i çmontojmë të gjitha akuzat, fund e krye politike.

Nuk jemi thjesht në kufi, por përtej çdo kufiri. Janë tejkaluar çdo kufi logjik dhe, aq më tepër, juridik. Si mund të pretendohet se është provuar një vepër penale që nuk ka ndodhur kurrë? Zoti Meta, e theksoj, nuk ka përdorur kurrë gjatë gjithë jetës së tij asnjë kartë bankare të asnjë lloji dhe të asnjë shteti. Pra, shqiptare jo, amerikane jo, evropiane jo. Asnjë kartë, zero.

Ndërkohë, tre prokurorë, që presupozohet të jenë elita e hetimit në këtë vend, jo vetëm që nuk kanë asnjë provë, por kanë kryer një mashtrim zyrtar përmes një letër-porosie zyrtare. Të tilla janë të gjitha letër-porositë që ata kanë dërguar në SHBA dhe gjetkë. Ky është një mashtrim i qëllimshëm dhe kriminal. Nuk kemi të bëjmë me një deklaratë për shtyp që mund të përgënjeshtrohet, por me një dokument zyrtar të arkivuar në Departamentin e Drejtësisë, ku tre prokurorë, me firmë dhe vulë, mashtrojnë zyrtarisht.

A ka akt më të rëndë sesa mashtrimi zyrtar i qëllimshëm ndaj një institucioni si Departamenti i Drejtësisë, i kryer nga funksionarë publikë? Nuk ka asnjë provë, jo vetëm në këtë rast, por edhe në të gjitha rastet e tjera.

Nëse ndalemi edhe te çështja tjetër, ajo që lidhet me kompaninë PLUS, kemi sërish një rast flagrant, që dëshmon standardin e hetimit ndaj zotit Meta. Ky është një standard që, në fakt, shpjegon edhe justifikimin e pretenduar për arrestimin e tij më 21 tetor 2024 dhe vijimin e mbajtjes së tij me argumentin se po prishen provat. Cilat prova? Nuk ka asnjë provë. Pretendimi se zoti Meta ka përdorur tre karta është i pabazë, pasi nuk ka asnjë kartë të përdorur prej tij.

E gjithë dosja mbështetet mbi manipulime, mashtrime, spekulime dhe fshehje faktesh. Nuk ka asnjë provë kundër zotit Meta, madje nuk ka as edhe një dëshmitar që të ketë dëshmuar kundër tij. Pra, zero prova, zero fakte, zero akte, zero dëshmitarë.