Gheorghe Hagi prezantohet si trajner i Rumanisë: Objektiva të rëndësishëm, dua të fitoj gjithçka
Legjenda e futbollit rumun, Gheorghe Hagi, është zyrtarisht trajneri i ri i përfaqësueses së Rumanisë, duke marrë drejtimin e “Tricolorii” në një moment të rëndësishëm pas ndryshimeve në stolin teknik. Në prezantimin e tij, ish-‘ylli’ i Barcelonës dhe Brescias u shfaq i vendosur dhe ambicioz, duke theksuar se synimi i tij është ta çojë Rumaninë në nivelet më të larta të futbollit europian dhe botëror.
“Objektivat janë të larta, do të përpiqemi të bëhemi më të mirët. Mund të duket ambicioze, por unë gjithmonë kam vendosur objektiva të mëdhenj. E dua fitoren dhe dua sa më shumë suksese”, u shpreh Hagi në konferencën për shtyp.
Trajneri 61-vjeçar theksoi se ndihet më i përgatitur se në të kaluarën: “Nuk jam më ai 25-vjeçari i para shumë viteve, kam ndryshuar dhe jam përmirësuar, sidomos në përvojë.”
Hagi e konsideron këtë detyrë një sfidë të madhe dhe një përgjegjësi të veçantë: “Është një nder i madh të përfaqësosh sërish Rumaninë. Kam lindur për të fituar dhe dua ta çoj kombëtaren aty ku meriton.”
Ai foli edhe për filozofinë e tij të lojës, duke theksuar rëndësinë e ekuilibrit mes fazës ofensive dhe defensive: “Një lojtar duhet të dijë të sulmojë dhe të mbrojë. Presingu, zotërimu i topit dhe rikuperimu i shpejtë janë thelbësore për suksesin.”
Në aspektin taktik, Hagi u shpreh se do të jetë fleksibël: “Do të përdorim si mbrojtjen me katër ashtu edhe me tre lojtarë. Do të jemi dinamikë dhe do të përshtatemi sipas kundërshtarit.”
Objektivat madhorë të tij janë kualifikimi në Euro 2028 dhe Botërorin 2030, me një mision të qartë: të rikthejë Rumaninë mes kombëtareve elitare të futbollit botëror.