SYRI TV/ Banorët e Fierit në alarm: Rruga Semanit është kthyer në makth

 

Aksi rrugor Fier–Seman është në gjendje të amortizuar dhe paraqet rrezik për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Kjo gjendje e rrugës ka vështirësuar së tepërmi situatën për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonave përreth, të cilët kërkojnë ndërhyrje emergjente për të rregulluar infrastrukturën rrugore.

SYRI TV

Aksi rrugor Fier–Seman, rreth 20 km i gjatë, ndonëse i asfaltuar, është në gjendje të amortizuar dhe paraqet rrezik për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Në shumë segmente ka gropa, disnivele dhe mungesë sinjalistike, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aksit është aq e ngushtë, sa nuk mund të kalojnë dy automjete, duke vështirësuar së tepërmi situatën për drejtuesit e mjeteve.  

Banorët e zonave përgjatë këtij segmenti thonë se rruga duhet jo vetëm të rikonstruktohet, por edhe të zgjerohet sipas standardeve bashkëkohore, duke garantuar hapësirë të mjaftueshme për qarkullimin e dy automjeteve, si dhe për lëvizjen e sigurt të motorëve dhe biçikletave, teksa shtojnë se dëmtimi i rrugës rëndohet edhe nga qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë drejt zonës së Semanit.

Ata kërkojnë ndërhyrje emergjente në këtë periudhë, pasi fluksi është më i lartë gjatë sezonit veror dhe turistik.

Në rrugën Fier-Seman, aksidentet janë të shpeshta dhe jo rrallëherë automjetet kanë përfunduar në kanalet anësore të rrugës. Për pasojë, janë regjistruar të plagosur, por edhe viktima, duke e kthyer këtë aks në një “pikë të zezë” për sigurinë rrugore.