Vrasja e Elton Javorit në Fier, vetëdorëzohet pas dy vitesh 38 vjeçari, i vëllai në burg
Vetëdorëzohet autori i dytë i vrasjes së Elton Javorit më datë 07.12.2023, në lagjen “16 Prilli”, Fier.
Policia e qytetit informoi sot ekzekutimin nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda e urdhrit të ndalimit për 38-vjeçarit, Agim Gashi.
Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
38-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin K. G. (aktualisht në paraburgim në ambientet e IEVP Fier), më datë 07.12.2023, në lagjen “16 Prilli”, Fier, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti që drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç, informoi policia.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit, Agim Gashi është dënuar me 25 vite burg në mungesë.
Viktima Elton Javori u ekzekutua pak metra larg shtëpisë më 7 dhjetor 2023, nga Agim Gashi, me të cilin më përpara kishin pasur miqësi.
Javori ishte duke udhëtuar me automjet tip Porshe, kur u qëllua me automatiku në lagjen e Backallinjve në Fier. Mësohet se autori i kishte zënë pritë pak metra nga shtëpia dhe pasi e qëlloi u largua me makinë tip Benz. Ai u ekzekutua pak ditë pasi kishte ardhur nga Gjermania ku edhe jetonte.
Ekspertiza konfirmoi se viktima kishte vdekur si pasojë e një plumbi në qafë. Ai ishte qëlluar dy herë dhe vetëm njëri prej plumbave e i kishte prekur. Fillimisht policia ngriti dyshime për hakmarrje mbi ngjarje të ndodhura në Fier, por pas hetimeve të para ngjarja u mësua se ndodhi për konflikte banale.