Tragjedi në futbollin gjerman, bashkëshortja e Markus Mendler ndërron jetë pak ditë pas solli në jetë fëmijën e dytë

Një lajm i rëndë ka tronditur botën e futbollit në Gjermani, ku futbollisti Markus Mendler po përjeton një humbje të madhe familjare. Bashkëshortja e tij, Tamara Mendler, ka ndërruar jetë në moshën 32-vjeçare, vetëm pak ditë pasi solli në jetë fëmijën e tyre të dytë.

Sipas raportimeve, Tamara ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje pas një sëmundjeje të shkurtër, por të rëndë, duke lënë pas një dhimbje të thellë për familjen dhe komunitetin sportiv.

Lajmi u bë publik pasi Mendler mungoi në ndeshjen e fundit të ekipit të tij për arsye personale. Aktualisht, 33-vjeçari aktivizohet me FC Homburg, ndërsa më herët ka luajtur edhe në Bundesligë me  FC Nürnberg. Tamara, nga ana e saj, kishte qenë gjithashtu futbolliste profesioniste dhe pikërisht në kohën kur të dy luanin për Saarbrücken u njohën me njëri-tjetrin.

Klubi i Homburgut reagoi me një deklaratë prekëse, duke shprehur tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e parakohshme: “Vetëm pak ditë më parë ajo solli në jetë një fëmijë të shëndetshëm. Kjo humbje është e pakuptueshme dhe jashtëzakonisht e dhimbshme për të gjithë ne.”

Në mesazhin e tyre, drejtuesit e klubit i shprehën ngushëllimet më të sinqerta Mendler-it, dy fëmijëve të tij dhe gjithë familjes, duke theksuar se në këtë moment të vështirë do të jenë pranë tij me mbështetje të plotë.

Ngjarja ka prekur thellë komunitetin sportiv, ndërsa mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje kanë ardhur nga shumë figura dhe klube të futbollit, në një moment që konsiderohet një nga më të dhimbshmit për familjen Mendler.