VIDEO/ Incident i pazakontë në SHBA, parashutisti ngec në tabelën e stadiumit
Një ngjarje e rrallë dhe dramatike ka ndodhur gjatë një aktiviteti sportiv në Virginia, ku një parashutist mbeti i bllokuar në tabelën gjigante të stadiumit gjatë një ndeshjeje universitare futbolli amerikan.
Ngjarja ndodhi në ‘Lane Stadium’, përpara fillimit të ndeshjes pranverore të ekipit të Virginia Tech. Parashutisti ishte duke zbritur në fushë si pjesë e spektaklit para ndeshjes, por përfundoi duke u përplasur dhe duke ngecur në majë të tabelës së rezultateve.
Pamjet filmike tregojnë se ai u ndal mes shkronjave në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa gjatë qëndrimit të bllokuar hodhi në tribunë një flamur të madh amerikan dhe një parashutë më të vogël.
Për shpëtimin e tij u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës, të cilat përdorën një vinç për ta zbritur në mënyrë të sigurt. Parashutisti priti rreth 20 minuta derisa ekipet e para mbërritën, ndërsa operacioni i shpëtimit zgjati afro 30 minuta.
Si pasojë e incidentit, fillimi i ndeshjes u shty me rreth një orë. Autoritetet e universitetit konfirmuan më vonë se personi është nxjerrë në mënyrë të sigurt dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Zyrtarët falënderuan publikisht ekipet e emergjencës dhe personelin mjekësor për reagimin e shpejtë dhe profesional, duke theksuar se prioriteti kryesor ishte siguria dhe shëndeti i parashutistit.
Ndeshja në fjalë ishte edhe debutimi në pranverë për trajnerin e ri James Franklin, por vëmendja e të gjithëve u përqendrua tek ky incident i pazakontë që tronditi përkohësisht atmosferën në stadium.